Negociatat tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë janë shembur në momentet e fundit, pavarësisht se vetëm pak ditë më parë presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se dy vendet kishin arritur një marrëveshje. Dështimi i bisedimeve ka hapur rrugën për tarifa të reja prej 50% ndaj miliarda dollarëve mallra kanadeze dhe për masa hakmarrëse nga Otava.
Për më shumë se një javë, Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, kishte zhvilluar negociata intensive me zyrtarët më të lartë kanadezë. Palët kishin rënë dakord për kornizën e përgjithshme dhe grupet e industrisë ishin informuar se një marrëveshje dukej pranë.
Megjithatë, të premten negociatat u rrëzuan. Sipas zyrtarëve dhe përfaqësuesve të biznesit të përfshirë në proces, mosmarrëveshjet e minutës së fundit dhe kufizimet politike në të dyja vendet bënë që kompromisi të bëhej i pamundur.
Washingtoni dhe Otava japin versione të ndryshme për atë që ndodhi. Zyrtarët amerikanë akuzojnë Kanadanë se paraqiti kërkesa të reja në fund të negociatave, përfshirë uljen e tarifave për kamionët e rëndë. Kryeministri kanadez Mark Carney, nga ana tjetër, mohoi kategorikisht se Otava kishte ndryshuar kërkesat në minutën e fundit dhe sugjeroi se problemi qëndronte te mosmarrëveshjet brenda vetë administratës Trump.
Në qendër të përplasjeve ishin tarifat amerikane për automjetet, çelikun dhe aluminin. Sipas palës kanadeze, ishte arritur një mirëkuptim për uljen në 15% të tarifave për automjetet, në varësi të përmbajtjes amerikane në to, por SHBA kërkoi që kamionët e mesëm dhe të rëndë të përjashtoheshin nga lehtësimi.
Carney tha se pala amerikane nuk kishte dhënë një arsye bindëse për këto përjashtime, të cilat do të preknin edhe modele të prodhuara në Kanada nga Ford dhe General Motors.
Negociatat nxorën në pah gjithashtu tensione të mundshme mes zyrtarëve të lartë të administratës Trump. Greer drejtoi negociatat, por një pjesë e çështjeve kryesore, veçanërisht tarifat për automjetet, çelikun dhe aluminin, bien nën fushën e përgjegjësisë së Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.
Sipas burimeve të njohura me negociatat, Lutnick kishte zhvilluar disa biseda telefonike dhe shkëmbime mesazhesh drejtpërdrejt me Carney gjatë javës së fundit.
Kryeministri kanadez iu referua pikërisht mungesës së koherencës në palën amerikane kur shpjegoi vendimin për t’u tërhequr nga bisedimet.
Ekipi kanadez, tha ai, kishte mbajtur të njëjtin qëndrim gjatë gjithë negociatave, duke shtuar se “nuk mund të thuhet e njëjta gjë për administratën e Shteteve të Bashkuara”.
Shtëpia e Bardhë e ka kundërshtuar këtë version, duke mohuar se Greer dhe Lutnick kishin qëndrime thelbësisht të ndryshme. Sipas palës amerikane, shkaku kryesor i dështimit ishin kërkesat e fundit të Kanadasë lidhur me tarifat.
Mosmarrëveshje pati edhe për çështje që Otava i konsideron të lidhura me sovranitetin e saj. Kanadaja kundërshtoi kërkesa që, sipas saj, mund të preknin mbrojtjen e gjuhës franceze dhe kulturës kanadeze, si edhe aftësinë e vendit për të lidhur në të ardhmen marrëveshje tregtare me vende të treta.
Pas dështimit të negociatave, tarifat amerikane prej 50% ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze hynë në fuqi të shtunën.
Carney ka paralajmëruar se Kanadaja do të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Qeveria kanadeze po përgatit tarifa të reja ndaj produkteve amerikane, që pritet të përfshijnë çelikun, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, industrinë e letrës dhe elektronikën.
Masat hakmarrëse kanadeze pritet të hyjnë në fuqi më 8 shtator.
Vendimi i Carney për të mos pranuar marrëveshjen ka marrë mbështetje edhe nga kundërshtarët e tij politikë. Lideri konservator Pierre Poilievre deklaroi gatishmërinë për të bashkëpunuar për mbrojtjen e industrive kanadeze, ndërsa kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se ishte i kënaqur që marrëveshja nuk u nënshkrua, duke e cilësuar atë si të pafavorshme për Kanadanë.
Përplasja rrezikon të ketë pasoja shumë më të gjera se tarifat e vendosura deri tani. SHBA-ja dhe Kanadaja kanë zinxhirë furnizimi të ndërthurur ngushtë, ndërsa në rrezik mund të vihet një marrëdhënie tregtare me vlerë mbi 1 trilion dollarë. Edhe Meksika mund të preket nga përshkallëzimi për shkak të integrimit të ekonomive të tre vendeve të Amerikës së Veriut.
Grupet e biznesit kanë reaguar me shqetësim. Dhoma Amerikane e Tregtisë u ka bërë thirrje të dyja qeverive të rikthehen menjëherë në tryezën e negociatave, duke paralajmëruar se një cikël i vazhdueshëm tarifash dhe kundërmasash do të rrisë kostot dhe do të frenojë rritjen ekonomike.
Megjithatë, për momentin nuk duket se ka një rrugë të shpejtë drejt rifillimit të dialogut. Greer deklaroi se nuk ka bisedime të reja të planifikuara me kanadezët dhe se Washingtoni po përgatitet të reagojë ndaj masave hakmarrëse të Otavës.


