Islanda do t’u drejtohet kutive të votimit më 29 gusht për të vendosur nëse duhet të rifillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por një nga figurat kryesore të opozitës argumenton se edhe një fitore e kampit “Po” nuk do ta detyronte domosdoshmërisht qeverinë të vazhdonte procesin e anëtarësimit.
Sigmundur Davíð Gunnlaugsson, kreu i Partisë së Qendrës dhe ish-kryeministër i Islandës, deklaroi se formulimi i pyetjes së referendumit është aq i gjerë sa, sipas tij, një qeveri e ardhshme mund ta konsideronte të përmbushur vullnetin e votuesve thjesht duke pyetur Brukselin se çfarë kushtesh do t’i ofronte Islandës dhe më pas të vendoste të mos vazhdonte negociatat.
“Nëse më vonë bëhem ministër i Jashtëm ose kryeministër, a e kam përmbushur këtë thjesht duke e pyetur BE-në: ‘Çfarë jeni të gatshëm të na ofroni?’. Dhe puna ime përfundon aty?”, tha Gunnlaugsson, duke argumentuar se qeveria aktuale e drejtuar nga socialdemokratët nuk ka shpjeguar qartë se si do të zbatohej rezultati në rast të një fitoreje të “Po”-së.
Gunnlaugsson ishte kryeministër kur Islanda tërhoqi në vitin 2015 përpjekjen e mëparshme për t’u anëtarësuar në BE, proces që ishte përballur me mosmarrëveshje të forta, veçanërisht për çështjen e kuotave të peshkimit.
Ai u bë një figurë e njohur politike gjatë krizës financiare të vitit 2008, kur kundërshtoi përdorimin e parave të taksapaguesve islandezë për të shpëtuar bankën më të madhe të vendit dhe për të shlyer kreditorët e huaj në Britani dhe Holandë. Në vitin 2017 ai themeloi Partinë e Qendrës, e cila aktualisht gëzon rreth 15 për qind mbështetje në sondazhe.
Gunnlaugsson e përshkruan forcën e tij politike si konservatore dhe të qendrës, duke kundërshtuar etiketimin e saj si populiste. Megjithatë, në qershor Partia e Qendrës iu bashkua familjes së Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë, ku bëjnë pjesë edhe parti të djathta si Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit dhe Ligj dhe Drejtësi në Poloni.
Referendumi i 29 gushtit do t’u kërkojë islandezëve t’i përgjigjen me “Po” ose “Jo” pyetjes: “A duhet të rifillojnë negociatat për anëtarësimin e Islandës në Bashkimin Europian?”.
Gara pritet të jetë e ngushtë. Një sondazh i Gallup në mesin e gushtit i jepte kampit pro rikthimit në negociata një avantazh të vogël, me 51.5 për qind mbështetje.
Këtë herë, debati për marrëdhëniet me BE-në ka marrë edhe një dimension të fortë gjeopolitik. Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e aneksimit të Groenlandës, fqinjit më të afërt të Islandës, janë përdorur nga mbështetësit e anëtarësimit si argument për afrimin e mëtejshëm të Reykjavíkit me Bashkimin Europian.
Gunnlaugsson, megjithatë, minimizoi kërcënimin që mund të paraqesin deklaratat e Trump. Ai tha se e kupton shqetësimin që ato kanë shkaktuar në Groenlandë dhe Danimarkë, por se nuk beson se duhet t’u jepet më shumë peshë seç duhet.
“Nuk kam menduar kurrë se ekzistonte një mundësi reale për një pushtim. Gjithmonë e kam parë këtë si një nga lojërat e tij”, tha ai.
Një tjetër çështje e debatueshme është pjesëmarrja e Islandës në zonën Schengen. Gunnlaugsson argumentoi se politikanët islandezë duhet të jenë më të gatshëm për të vendosur kontrolle kufitare kur situata e kërkon, duke iu referuar masave të ndërmarra së fundmi nga disa vende europiane përballë rritjes së emigracionit të parregullt. Megjithatë, ai tha se nuk mbështet largimin e Islandës nga Schengen edhe nëse në referendum fiton “Jo”-ja.
Një qëndrim më kritik ndaj lëvizjes së lirë shprehu nënkryetari 29-vjeçar i Partisë së Qendrës, Snorri Másson. Ai argumentoi se Islanda, me një popullsi prej rreth 400 mijë banorësh, një kulturë dhe gjuhë të veçantë, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje rritjes së emigracionit.
Másson tha se nuk kërkon largimin nga Zona Ekonomike Europiane, e cila garanton edhe lëvizjen e lirë të njerëzve, por argumentoi se mund të jetë e nevojshme të rishikohen disa elemente të sistemit nëse vendi rrezikon, sipas tij, të humbasë kontrollin mbi zhvillimet demografike.
Me sondazhet që tregojnë një garë të ngushtë, referendumi i 29 gushtit pritet të përcaktojë nëse Islanda do të rikthejë në tryezë një proces europian që e ndërpreu më shumë se një dekadë më parë.


