Von der Leyen: Ndalimi i importeve të naftës ruse deri në fund të vitit

04 May 2022 11:54
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen zbuloi një plan që BE-ja të ndalojë importet e naftës ruse Brenda fundit të këtij viti, si pjesë e paketës së fundit të sanksioneve ndaj Moskës.

”Ndalimi shërben për të maksimizuar presionin ndaj Rusisë. Kjo duhet të menaxhohet në një qasje për të ruajtur stabilitetin ekonomik të bllokut”, theksoi Von der Leyen në Parlamentin Evropian.

Zyrtarja e lartë e BE-së njoftoi gjithashtu përjashtimin e Sberbank, bankës më të madhe të Rusisë, nga sistemi ndërkombëtar i raportimit financiar, SWIFT.

Reklamë Ola

Përveç kësaj, zyrtarët ushtarakë rusë të përfshirë në mizoritë në Bucha dhe Mariupol në Ukrainë do të jenë gjithashtu subjekt i sanksioneve.

Komisioni Evropian propozoi sot sanksione të reja ndaj eksporteve ruse të naftës për shkak të pushtimit të Ukrainës, konfirmuan zyrtarë nga dega ekzekutive e BE-së.

Reklamë InterMedika

Paketa e gjashtë e sanksioneve ndalon bizneset në Bashkimin Evropian të blejnë naftë nga Rusia dhe synon të heqë gradualisht importet nga blloku.

Gjermania udhëhoqi rezistencën fillestare ndaj një embargoje të naftës ruse, me gjithë kritikat e shumta nga Ukraina, përpara se Berlini përfundimisht të mbështeste një ndalim të tillë, pas suksesit në furnizimet alternative me naftë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck njoftoi javën e kaluar se Berlini kishte ulur importet e naftës ruse nga 35%, para fillimit të luftës në Ukrainë, në 12% në vetëm tetë javë.

BE ka importuar 44 miliardë euro (46 miliardë dollarë) lëndë djegëse fosile ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas grupit të kërkimit mjedisor ”Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër” (CREA).

Sipas vlerësimeve të institutit “Bruegel”, nafta ruse me vlerë rreth 450 milionë dollarë aktualisht ende konsumohet në BE çdo ditë, duke kontribuar në përpjekjet e Moskës për luftën në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë marrë masa për të ndaluar importet e të gjitha lëndëve djegëse fosile ruse, edhe pse ato importojnë vetëm një pjesë të vogël të  naftës nga Rusia krahasuar me BE-në./