Një gjykatë federale në Florida i ka dhënë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një lehtësim të përkohshëm në procesin gjyqësor kundër BBC-së, duke pezulluar urdhrin që e detyronte të dorëzonte të dhëna mbi performancën financiare të bizneseve të tij.
Vendimi u mor nga gjyqtari federal Roy Altman, i cili njoftoi se do të mbajë pezull procesin e zbulimit të provave derisa të shqyrtojë kërkesën e Trump për të riformuluar padinë e ngritur ndaj transmetuesit britanik.
Sipas gjykatësit, argumenti i Trump se dëshiron të heqë dorë nga pretendimet për dëmtimin e markës dhe bizneseve të tij, duke e përqendruar padinë vetëm te dëmtimi i reputacionit personal, mund ta bëjë të panevojshëm dorëzimin e dokumenteve financiare.
“Ky është një argument bindës”, shkroi Altman në vendimin e tij.
Nga ana tjetër, avokatët e BBC-së kundërshtuan këtë qëndrim, duke argumentuar se të dhënat financiare mbeten të rëndësishme për çështjen, pasi reputacioni i Trump është i lidhur ngushtë me suksesin e perandorisë së tij të biznesit.
Ata theksuan gjithashtu se padia e riformuluar vazhdon të kërkojë 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, një shumë që, sipas tyre, nuk mund të justifikohet vetëm me pretendimet për dëmtim të reputacionit.
Padia u depozitua në dhjetor të vitit të kaluar dhe lidhet me dokumentarin e BBC-së “Trump: A Second Chance”, të transmetuar në vitin 2024. Trump pretendon se dokumentari ka manipuluar një pjesë të fjalimit të tij të 6 janarit 2021, duke krijuar përshtypjen se ai kishte nxitur dhunën gjatë sulmit ndaj Kapitolit.
BBC ka pranuar se gjatë montazhit është bërë një gabim në redaktim dhe ka kërkuar falje, por këmbëngul se ai ishte i paqëllimshëm dhe nuk përbën shpifje sipas ligjit.
Transmetuesi britanik ka kërkuar gjithashtu rrëzimin e padisë, duke argumentuar se gjykata federale në Florida nuk ka juridiksion për të shqyrtuar një çështje kundër një organizate mediatike me seli në Londër.
Nëse gjykata pranon kërkesën e Trump për të ndryshuar padinë, procesi gjyqësor mund të shtyhet për disa javë ose muaj, pasi BBC do të ketë mundësi të paraqesë një kërkesë të re për rrëzimin e saj, ndërsa avokatët e presidentit amerikan do të kenë të drejtën të përgjigjen ndaj argumenteve të reja.


