Trump vendos tarifa të reja për polisilikonin, synon të ulë varësinë nga Kina

07 Aug 2026 08:41
Shpërndaje:

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja mbi polisilikonin dhe produktet e lidhura me të, në një përpjekje për të reduktuar varësinë e Shteteve të Bashkuara nga Kina në zinxhirin global të furnizimit për panelet diellore dhe gjysmëpërçuesit.

Masa parashikon një tarifë prej 15% për polisilikonin e importuar dhe derivatet e tij, si edhe vendosjen e çmimeve minimale për importin e polisilikonit, ingoteve, waferëve, qelizave diellore dhe moduleve fotovoltaike.

Megjithatë, urdhri do të hyjë në fuqi më 4 dhjetor, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA dhe samitit të planifikuar në shtator mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Reklamë Ola

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, deklaroi se vendimi synon të nxisë prodhimin vendas dhe të forcojë industrinë amerikane. “Kjo do ta sjellë zinxhirin e furnizimit në SHBA. Industria ekziston, por është ende e vogël dhe do të zgjerohet ndjeshëm,” u shpreh ai.

Për të shmangur grumbullimin e materialeve përpara hyrjes në fuqi të tarifave, urdhri autorizon autoritetet doganore amerikane të kufizojnë importet nëse dyshohet se kompanitë po përpiqen t’i shmangen detyrimeve të reja.

Reklamë InterMedika

Vendimi është rezultat i një hetimi të Departamentit të Tregtisë mbi rreziqet për sigurinë kombëtare në zinxhirin e furnizimit me polisilikon, i nisur në korrik të vitit të kaluar.

Sipas S&P Global, Kina dominon prodhimin global të polisilikonit. Ndërkohë, tensionet tregtare mes dy vendeve janë shtuar, pasi Pekini vendosi këtë javë kufizime të reja për eksportin e dronëve drejt SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë theksoi se masa do të ndihmojë gjithashtu zhvillimin e industrisë amerikane të gjysmëpërçuesve, një sektor që konsiderohet strategjik për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Trump deklaroi se SHBA-ja synon të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të industrisë globale të çipave deri në fund të mandatit të tij.

Ekspertët e industrisë vlerësojnë se tarifat e reja përbëjnë një nga masat më të rëndësishme të mbrojtjes tregtare për sektorin amerikan të energjisë diellore dhe prodhimit të polisilikonit në vitet e fundit.