Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kriza e emigracionit në Ceuta ka treguar qartë rëndësinë e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për një koordinim më të fortë mes shteteve anëtare.
Në një postim në rrjetin social X, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian disponon një sistem të fortë të kontrollit kufitar, por theksoi se ai duhet të forcohet më tej.
“Duhet të qëndrojmë vigjilentë në çdo pikë hyrjeje kritike dhe të ruajmë një koordinim të ngushtë midis të gjitha autoriteteve”, u shpreh ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se blloku duhet të analizojë mësimet e nxjerra nga kjo krizë për të rritur qëndrueshmërinë e përbashkët evropiane.
Von der Leyen bëri të ditur se Komisioni Evropian i ka ofruar mbështetje Spanjës që në fillim të krizës, ndërsa ka marrë edhe letra nga disa liderë evropianë lidhur me situatën. Ajo mirëpriti gjithashtu kërkesën për zhvillimin e një videokonference të jashtëzakonshme për të vlerësuar zhvillimet.
“Lufta kundër emigracionit të paligjshëm kërkon solidaritet dhe një përgjigje të bashkuar evropiane”, theksoi Von der Leyen.


