Njoftimi i Presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje “historike” për Gazën ka ngjallur skepticizëm, pasi palët e përfshira kanë dhënë interpretime të ndryshme mbi zbatimin e saj.
Sipas një analize të Corriere della Sera, Trump njoftoi në platformën “Truth Social” arritjen e marrëveshjes me një gjuhë triumfaliste, duke e cilësuar atë “një hap monumental drejt paqes”, ndërsa institucionet amerikane dhe negociatorët nuk kishin bërë ende njoftime zyrtare.
Megjithëse Bordi i Paqes arriti të sigurojë nënshkrimin e Hamasit për një marrëveshje çarmatimi, Izraeli deklaroi se nuk beson se organizata palestineze do të heqë dorë realisht nga armët. Nga ana tjetër, Hamasi ka bërë të ditur se çarmatimi do të ndodhë vetëm pas tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Sipas analizës, pikërisht këto kundërshtime bënë që njoftimi të humbte shpejt vëmendjen në mediat ndërkombëtare, të cilat i kushtuan më shumë hapësirë komenteve skeptike sesa vetë marrëveshjes.
Corriere della Sera argumenton se Trump vijon të përdorë një strategji komunikimi të bazuar në deklarata të forta dhe premtime për marrëveshje historike, duke e paraqitur diplomacinë si një negociatë biznesi. Megjithatë, sipas analizës, kjo qasje po humbet efektivitetin për shkak të mungesës së rezultateve konkrete në konfliktet ndërkombëtare.
Analiza ndalet edhe te ndikimi politik i kësaj strategjie, duke theksuar se popullariteti i Trump ka rënë ndjeshëm që nga marrja e detyrës. Sipas mesatares së sondazheve të cituara, përqindja e amerikanëve që nuk e miratojnë presidencën e tij është rritur nga 43% në 60%.
Gjithashtu, sipas një sondazhi të Associated Press, dy të tretat e amerikanëve kundërshtojnë sulmin ndaj Iranit, ndërsa tetë në dhjetë qytetarë nuk besojnë më se Trump është në gjendje të ndërmjetësojë marrëveshje paqeje në konflikte si ai në Ukrainë.
Sipas analizës, rënia e besimit ndaj presidentit amerikan po reflektohet edhe në perceptimin ndërkombëtar ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit pritet të tregojnë ndikimin politik të kësaj situate.


