“Vendimi i SHBA-së do të ndikojë në luftën kundër malaries dhe SIDA-s në Afrikë”
Drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Afrikën, dr. Matshidiso Moeti tha se ndërprerja e mbështetjes financiare nga SHBA-ja për organizatën do të ndikojë në luftën kundër sëmundjeve të tilla si poliomeliti, malaria dhe SIDA në kontinentin e Afrikës.
Në një takim informues për median, Moeti tha se ndërprerja e kontributit financiar të SHBA-së do të shkaktojë ndërprerjen e shumë operacioneve në kontinent, kryesisht të punimeve për vaksinimin.
“SHBA është një prej vendeve që ofron kontributin më të madh për organizatën dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në luftën kundër sëmundjeve të tilla si poliomeliti, malaria dhe SIDA”, deklaroi Moeti.
Pasi i bëri thirrje qeverisë amerikane që të rishikojë vendimin e saj, Moeti bëri të ditur se SHBA-ja nuk është vetëm një partner financiar por edhe partner strategjik i organizatës.
Moeti vuri në dukje se OBSH-ja punon me shumë institute teknike në SHBA dhe se këto janë aktorë të rëndësishëm në krijimin e strategjisë dhe politikës së organizatës.
Sipas të dhënave të OBSH-së, në vitin 2018 në botën humbën jetën 405 mijë persona nga malaria ku 94 për qind e këtyre vdekjeve u shënuan në Afrikë. Gjithashtu në kontinent në po të njëjtin vit kanë humbur jetën 470 mijë persona nga SIDA.
Trump ndërpreu fondet për OBSH-në
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një konferencë për media me Task Forcën për luftën kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë akuzoi OBSH-në “për mbrojtjen e tezave të Kinës” dhe “mos kryerjen e një hetimi të besueshëm lidhur me mënyrën e përhapjes së pandemisë në Wuhan”. Ai theksoi se “OBSH-ja duhet të mbahet përgjegjëse, pasi ajo pas dhjetëra vitesh nuk ka mundur të zbatojë detyrën e saj më themelore”.
Duke pretenduar se organizata punon për Kinën, Trump deklaroi: “Sot udhëzoj qeverinë time që të ndërpresë fondin që sigurojmë për OBSH-në. Të gjithë e dinë se çfarë po ndodh atje”.
Eunews.al