Vaksinimi masiv/ Komisioni i Ekonomisë miraton rishikimin e buxhetit
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, I drejtuar nga prof. Anastas Angjeli miratoi ndryshime në Buxhetin e vitit 2021, propozuar përmes një Akti Normativ nga Qeveria.
Drejtore e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi tha se Akti Normativ përcakton shtesë me vlerë 2 miliardë lekë në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021 si dhe shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë që lidhen me pandeminë COVID-19.
Po ashtu përmes këtij akti, theksoi ajo gjatë diskutimit në Komision, bëhet shtesë me po të njëjtën masë të të ardhurave tatimore pas analizës dhe vlerësimeve të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me ecurinë e deritanishme të të ardhurave buxhetore si dhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit.
“Kjo rritje propozohet të bëhet në ata zëra që kanë shënuar një realizim apo tejkalim të planit të tyre fillestar, përgjatë tre muajve të parë të vitit dhe konkretisht, kontributet me 800 milionë lekë, tatimi mbi fitimin me 600 milionë lekë, akciza me 400 milionë lekë dhe TAP me 200 milionë lekë”, deklaroi Dhëmbi.
Një nga prioritetet e deklaruara të qeverisë shqiptare në mbështetje të rekomandimeve dhe sugjerimeve të ekspertëve të OBSH-së dhe Komitetit të Ekspertëve është vaksinimi masiv i popullatës si e vetmja përgjigje ndaj këtij virusi në një kohë sa më të shpejtë, sipas prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Vaksinimit.
Sipas kësaj strategjie për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës është vendosur si objektiv vaksinimi i 2.2 milionë personave për të cilët nevojiten 4.4 milionë doza vaksinash.
Deri sot qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milionë dozave të vaksinave.
Eunews.al