UNICEF ngre alarmin për fëmijët në Gaza: Nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike

25 Aug 2026 08:59
Shpërndaje:

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka ngritur alarmin për gjendjen ushqimore në Rripin e Gazës, ku një studim i ri ka evidentuar nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike, veçanërisht te fëmijët.

Studimi, i zhvilluar nga 31 maji deri më 15 qershor në zonat e aksesueshme të Gazës, konstatoi nivele “relativisht të ulëta” të kequshqyerjes akute, pas zgjerimit të ndihmave humanitare që pasoi armëpushimin e tetorit 2025.

Megjithatë, UNICEF paralajmëron se situata mbetet komplekse dhe shqetësuese. Studimi evidentoi kequshqyerje kronike dhe stanjacion në rritjen e fëmijëve, kequshqyerje te nënat, cilësi shumë të dobët të dietës, probleme me ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, si dhe një nivel të konsiderueshëm sëmundjesh te fëmijët.

Reklamë Ola

Rreth 17% e popullsisë së Gazës, ose afërsisht 358 mijë persona, nuk u përfshinë në kampionim për shkak të kufizimeve të sigurisë dhe pamundësisë për të aksesuar disa zona.

Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, tha se përmirësimi i situatës tregon rëndësinë e mbërritjes së vazhdueshme të ndihmave dhe furnizimeve tregtare.

Reklamë InterMedika

“Ushqyerja e fëmijëve përmirësohet kur ndihmat dhe furnizimet tregtare arrijnë tek ata”, deklaroi Beigbeder.

Sipas tij, kequshqyerja akute mund të përmirësohet brenda disa javësh, por pasojat afatgjata të krizës kërkojnë shumë më tepër kohë dhe ndërhyrje.

“Dëmi më i gjerë nuk mund të përmirësohet kaq shpejt. Fëmijët kanë nevojë për ujë të sigurt, kujdes shëndetësor dhe ushqime të larmishme e ushqyese, jo vetëm për kalori të mjaftueshme për të mbijetuar”, theksoi zyrtari i UNICEF-it.

Gjetjet tregojnë se, pavarësisht përmirësimit të disa treguesve pas rritjes së ndihmave humanitare, pasojat e krizës së zgjatur mbi shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve në Gaza mbeten serioze.