Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka konfirmuar synimin për të intensifikuar presionin ekonomik ndaj Iranit, duke paralajmëruar gjithashtu vendet që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Teheranin.
Gjatë një konference për shtyp në Uashington, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi përgatitjen e një vale të re sanksionesh “dytësore”, të cilat do të synojnë jo vetëm Iranin, por edhe partnerët e tij tregtarë.
Masat pritet të prekin sektorë të ndryshëm, përfshirë arin, teknologjinë, asetet dixhitale, aviacionin dhe transportin detar. Bessent nuk dha një afat për hyrjen në fuqi të sanksioneve dhe as nuk specifikoi vendet që mund të preken.
“Irani përballet me një zgjedhje shumë të qartë, midis vetëm dy rrugëve të mundshme: izolim i plotë ose një kthim në normalitet dhe mundësia e riintegrimit në ekonominë globale”, deklaroi Bessent.
Paralajmërimi amerikan iu drejtua edhe vendeve të tjera që vazhdojnë marrëdhëniet ekonomike me Teheranin. Sipas Bessent, ato duhet të zgjedhin mes mbështetjes së përpjekjeve për izolimin ekonomik të Iranit ose rrezikut për t’u përballur vetë me masa ndëshkuese.
Një nga masat më të forta të përmendura është mundësia e përjashtimit nga sistemi financiar i dollarit.
“Ne do t’i mbajmë të gjithë përgjegjës”, paralajmëroi Bessent, duke shtuar se “askush nuk duhet ta vërë në provë vullnetin tonë” për të ndërprerë burimet ekonomike të Teheranit.
Masat mund të kenë pasoja të rëndësishme edhe për partnerët kryesorë tregtarë të Iranit. Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, është ndër importuesit kryesorë të naftës iraniane.
Ndërkohë, Teherani ka reaguar ndaj paralajmërimeve të Uashingtonit, duke deklaruar se përpjekja e re amerikane për të rritur presionin ekonomik ndaj Iranit do t’i sjellë SHBA-së “një humbje të re”.


