Lufta tregtare SHBA-Kanada përshkallëzohet, Otava përgatit përgjigjen ndaj tarifave të Trump

25 Aug 2026 08:50
Shpërndaje:

Kanadaja pritet të paraqesë sot masat e saj kundër tarifave të reja amerikane mbi çelikun dhe automjetet, ndërsa tensionet tregtare mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas dështimit të negociatave për një marrëveshje të re.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa prej 50% mbi importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, të cilat hynë në fuqi të shtunën. Otava ka njoftuar kundërmasa me të njëjtën vlerë, që pritet të zbatohen nga 8 shtatori.

Përplasja u thellua më tej pasi Trump njoftoi se nga 1 janari 2027 tarifat për automjetet, kamionët, pjesët e këmbimit dhe çelikun kanadez do të rriten në 50%.

Reklamë Ola

“Kanadaja ka vjedhur nga SHBA-ja për vite me radhë. Ne nuk do ta trajtojmë më Kanadanë sikur të ishte një shtet”, deklaroi Trump, duke përsëritur pretendimin se fqinji verior duhet të bëhet shteti i 51-të amerikan.

Ministrat kanadezë të Financave, Industrisë dhe Punës pritet të prezantojnë sot përgjigjen zyrtare të Otavës ndaj masave të reja.

Reklamë InterMedika

Kryeministri Mark Carney ka mbrojtur vendimin për ndërprerjen e negociatave, duke deklaruar se Kanadaja nuk do të pranonte një marrëveshje të pafavorshme vetëm për të arritur një kompromis me Uashingtonin.

Sipas tij, propozimet amerikane rrezikonin sektorë kyç të ekonomisë kanadeze, përfshirë industrinë e automobilave, çelikut dhe aluminit.

“Amerikanët donin të shkatërronin industritë tona kryesore, përfshirë sektorët e automobilave, çelikut dhe aluminit, me propozime të padrejta. Kjo është një nga arsyet kryesore pse thamë jo”, deklaroi Carney.

Përplasja tregtare përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë kanadeze, pasi SHBA-ja është partneri më i madh tregtar i vendit dhe destinacioni i rreth 70% të eksporteve të tij.

Megjithatë, qëndrimi i qeverisë duket se gëzon mbështetje të gjerë brenda vendit. Sipas një sondazhi të zhvilluar gjatë fundjavës, 76% e kanadezëve mbështesin ndërprerjen e negociatave me SHBA-në, ndërsa 62% janë në favor të masave hakmarrëse ndaj tarifave amerikane.