Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka propozuar krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për të lehtësuar transportin detar të plehrave kimikë dhe produkteve të ngjashme, të goditur nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë një konference për shtyp në Nju Jork, Guterres tha se synimi është të zvogëlohen rreziqet e menjëhershme dhe të krijohen kushte për një transport më të koordinuar dhe të parashikueshëm.
“Qëllimi është i thjeshtë, të zvogëlohen rreziqet e menjëhershme, të mbështetet transporti më i koordinuar dhe i parashikueshëm dhe të kontribuohet në rindërtimin e besimit të nevojshëm për diplomacinë dhe deeskalimin”, deklaroi ai.
Propozimi parashikon krijimin e një mekanizmi për regjistrimin dhe verifikimin e anijeve që transportojnë, të paktën në fazën fillestare, plehra kimikë dhe produkte të ngjashme. Nisma do të shoqërohej edhe nga një mekanizëm për parandalimin e incidenteve, i udhëhequr nga Omani.
Guterres sqaroi se mekanizmi nuk do të autorizonte kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe as do të ndryshonte të drejtat apo detyrimet e shteteve sipas së drejtës ndërkombëtare.
OKB-ja, sipas tij, është e gatshme ta vendosë mekanizmin në funksion, megjithëse jo të gjitha vendet e përfshira në konflikt e kanë pranuar atë. Organizata synon të luajë një rol “neutral” dhe “lehtësues”.
Ngushtica e Hormuzit është bllokuar nga Irani pas bombardimeve amerikano-izraelite të 28 shkurtit. Përpara konfliktit, përmes kësaj rruge strategjike kalonte rreth një e pesta e hidrokarbureve të konsumuara në nivel global.
Teherani ka deklaruar se synon të vendosë tarifa për shërbimet ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë, një qëndrim që kundërshtohet nga SHBA-ja dhe disa vende të rajonit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka pretenduar se Uashingtoni ka “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ka deklaruar se pas përfundimit të luftës ajo do të bëhet “territor amerikan”.


