Zhvillimi i turizmit po ndryshon ekonominë dhe jetën e komuniteteve në jug të Shqipërisë, duke krijuar vende të reja pune, nxitur sipërmarrjen dhe duke rikthyer në vend edhe shqiptarë që kishin emigruar prej vitesh.
Kështu shkruan World Bank Europe and Central Asia, duke sjellë shembuj konkretë nga Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda, qytete ku investimet në trashëgiminë kulturore dhe infrastrukturën turistike janë shoqëruar me një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe bizneseve.
Për vite me radhë, komunitetet në jug të vendit u përballën me zhvillim të ngadaltë dhe largimin e banorëve, veçanërisht të të rinjve. Por panorama ka ndryshuar ndjeshëm ndërsa Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar ndërkombëtar.
Kristian Kondi, menaxher i restorantit “Zonja Gjenë” në Berat, kujton transformimin që ka ndodhur në qytet gjatë dekadës së fundit.
“10 vjet më parë, kur isha fëmijë, në këtë rrugicë kishte vetëm dy ose tre dyqane. Pas orës 18:00, gjithçka ishte e qetë, dritat ishin të fikura dhe nuk kishte asnjë njeri, por gjithçka ka ndryshuar”, tregon ai.
Një rol në këtë transformim ka luajtur Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik (PIUTD), i realizuar nga Banka Botërore në partneritet me Qeverinë shqiptare.
Nëpërmjet tij janë restauruar monumente historike, është përmirësuar infrastruktura përreth tyre dhe janë zgjeruar shërbimet turistike. Investimet janë përqendruar në 12 pika kryesore turistike, mes të cilave Qafa e Pazarit, shëtitorja e Sarandës dhe kalatë e Beratit, Borshit, Gjirokastrës dhe Kaninës.
Gati 200 mijë metra katrorë hapësira publike janë përmirësuar, duke përfshirë restaurimin e rrugëve me kalldrëm, rehabilitimin e shesheve, ndriçimin, trotuaret, sinjalistikën, shtigjet e reja, rampat dhe pikat e informacionit për turistët.
Rezultatet po reflektohen edhe në numrin e vizitorëve. Sipas të dhënave të INSTAT të cituara nga Banka Botërore, Shqipëria regjistroi në vitin 2024 një rritje prej 82% të ardhjeve të turistëve krahasuar me vitin 2019.
Në jug, rritja ka qenë edhe më e fortë. Berati regjistroi pothuajse katër herë më shumë turistë, ndërsa Gjirokastra gjashtë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë.
Rritja e turizmit dhe investimet publike kanë nxitur njëkohësisht kapitalin privat. Familjet po shndërrojnë shtëpitë historike në bujtina, po krijojnë eksperienca gastronomike dhe kulturore dhe po investojnë në aktivitete të reja, nga shtigjet për ecje dhe çiklizëm te autobusët elektrikë, varkat dhe projektet për zipline.
Që nga nisja e PIUTD, numri i bizneseve të lidhura me turizmin në zonat e përfshira në projekt është më shumë se dyfishuar.
Një tjetër ndryshim lidhet me zgjatjen e sezonit turistik, i cili në disa destinacione nuk kufizohet më vetëm në muajt e verës.
“Dikur kishim turistë vetëm në korrik dhe gusht. Tani turizmi në Sarandë është gjatë gjithë vitit”, thotë operatorja turistike Rudina Liçaj.
Sipas Bankës Botërore, mundësitë e reja ekonomike po ndikojnë edhe në një fenomen tjetër: rikthimin e shqiptarëve nga emigracioni.
Kristi Magllara është kthyer në Sarandë pas 15 vitesh jetese në Gjermani dhe Austri dhe tashmë menaxhon biznesin turistik të familjes së saj. Ajo thotë se rritja e shpejtë e turizmit e bindi se kishte ardhur momenti për t’u kthyer dhe për të sjellë ide të reja në biznes.
Një histori të ngjashme tregon edhe Hajdar Ceribashi, menaxher i hotelit “Aqueduct Inn” në Gjirokastër, i cili vendosi të investonte kursimet e tij në sektorin e mikpritjes.
“Kurrë nuk e imagjinoja se do të kthehesha në Gjirokastër. Por, me të gjitha investimet e bëra në qytet, si në infrastrukturë, ashtu edhe në çdo aspekt tjetër të jetës, vendosa të kthehesha dhe të investoja të gjitha kursimet e mia në sektorin e mikpritjes, pikërisht në shtëpinë ku u rrita”, shprehet ai.
Banka Botërore e paraqet këtë qasje si një model që synon të ndërthurë zhvillimin ekonomik me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Nga restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës te infrastruktura publike, ekoturizmi dhe shërbimet për vizitorët, investimet synojnë që rritja e turizmit të krijojë përfitime afatgjata për komunitetet lokale.
“Ne nuk kemi ndërtuar vetëm rrugë, sheshe dhe fasada. Kemi krijuar një model zhvillimi që vlerëson natyrën, kulturën dhe komunitetin”, shprehet Ervin Ceca, kryetari në detyrë i Bashkisë Berat.


