Fermerët shqiptarë pritet të kenë së shpejti një skemë të posaçme sigurimesh për t’u mbrojtur nga dëmet që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se puna për ngritjen e skemës së sigurimeve në bujqësi është drejt përfundimit.
Sipas ministrit, mekanizmi i ri synon të krijojë një formë shtesë mbështetjeje dhe mbrojtjeje për prodhuesit bujqësorë që përballen me humbje si pasojë e fenomeneve natyrore.
Nisma vjen pas shqetësimeve të ngritura vazhdimisht nga fermerët gjatë takimeve në terren, veçanërisht për dëmet e shkaktuara nga ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret.
“Për të gjithë ju fermerë me të cilët jam takuar në të gjithë vendin dhe që më keni ngritur shqetësimet tuaja për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, sot kam një lajm të mirë. Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, deklaroi Salla.
Ministri nuk dha ende detaje mbi mënyrën se si do të funksionojë skema, masën e mbulimit financiar apo kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar. Këto pritet të bëhen të ditura pas finalizimit të mekanizmit.


