Konferencat vjetore të partive politike britanike pritet të tërheqin vëmendje të veçantë këtë vit, me një kryeministër të ri në Downing Street dhe disa parti që synojnë të sfidojnë pushtetin. Por për kompanitë dhe grupet e interesit që kërkojnë të takojnë politikanët, pjesëmarrja po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme.
Sipas POLITICO, dy lobistë thanë se u është kërkuar të paguajnë 5 500 paund për të marrë pjesë në ditën e biznesit të konferencës së Partisë Laburiste. Çmimi ishte 5 000 paund vitin e kaluar dhe vetëm 3 000 paund në vitin 2024, çka përfaqëson një rritje prej 83% në vetëm dy vjet. Shumat nuk përfshijnë TVSH-në.
Pas ardhjes së Andy Burnham në postin e kryeministrit, interesi i biznesit për konferencën laburiste është rritur. Disa kompani që kishin menduar të reduktonin praninë e tyre tani po dërgojnë më shumë drejtues për të kuptuar prioritetet e qeverisë së re.
Një drejtues i marrëdhënieve me publikun tha se kompania e tij vendosi të dërgonte dy drejtues shtesë, duke i shtuar faturës vetëm për biletat edhe 11 000 paund.
Por kostot nuk përfundojnë me hyrjen në konferencë. Një kompani që disponon hapësira brenda zonës së sigurisë në Liverpool kërkon mes 10 000 dhe 15 000 paund për organizimin e një paneli vetëm njëorësh. Në shumë raste, në këtë shumë nuk përfshihen shërbimet e ushqimit apo pajisjet audiovizive.
Edhe një biletë e zakonshme për një vizitor komercial ka arritur në 1 820 paund, nga 1 600 paund vitin e kaluar. Për përfaqësuesit e organizatave të sektorit të tretë, përfshirë punonjësit e organizatave bamirëse, çmimi është rritur në 645 paund.
Kostot e larta po bëhen problem edhe për organizatat më të mëdha, veçanërisht pasi fragmentimi i skenës politike britanike po i detyron ato të marrin pjesë në konferencat e disa partive.
Alexander Gray, zëvendësdrejtor për marrëdhëniet e jashtme në Energy UK, tha se buxhetet e konferencave tani mund të duhet të ndahen mes pesë apo edhe shtatë aktiviteteve të ndryshme politike.
Ai solli si shembull edhe çmimet e shërbimeve brenda konferencave, duke treguar se vetëm sigurimi i një mikrofoni për një fjalim treminutësh mund të kushtojë mbi 500 paund.
Edhe konsumi gjatë aktiviteteve ka çmime të larta. Në hotelin Hilton, një nga qendrat kryesore të aktiviteteve gjatë konferencës laburiste, një shishe verë rozë kushton 50 paund, një shishe birrë 9.50 paund dhe një kanë me lëng frutash 14 paund.
Përballë këtyre kostove, kompanitë po kërkojnë mënyra alternative për të qenë pranë politikës. Disa lobistë po fokusohen gjithnjë e më shumë te aktivitetet anësore që zhvillohen jashtë zonave me pagesë të konferencave, ndërsa të tjerë po vënë në pikëpyetje nëse pjesëmarrja e kushtueshme justifikon përfitimin.
Megjithatë, profesionistët e sektorit argumentojnë se konferencat vazhdojnë të kenë rëndësi, sidomos në një periudhë kur politika britanike po ndryshon me shpejtësi. Për ta, vlera nuk qëndron vetëm te fjalimet zyrtare, por te takimet informale, krijimi i kontakteve dhe mundësia për të kuptuar nga afër drejtimin që po marrin partitë politike.


