SHBA nuk planifikon sulme të reja ndaj Iranit, Rubio: Fokusi te presioni ekonomik

26 Aug 2026 08:55
Shpërndaje:

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka komunikuar ditët e fundit disa homologëve të tij të huaj se Shtetet e Bashkuara, për momentin, nuk planifikojnë të ndërmarrin sulme të reja ushtarake ndaj Iranit.

Sipas Axios, Rubio ka bërë të ditur se administrata amerikane po përqendrohet aktualisht në forma të tjera presioni ndaj Teheranit, veçanërisht në paketën e re të sanksioneve ekonomike të njoftuar këtë javë.

Një burim i cituar nga media amerikane tha se sekretari i Shtetit ka bërë të qartë se Uashingtoni nuk synon të rikthehet në operacione të gjera luftarake kundër Iranit në këtë fazë të konfliktit.

Reklamë Ola

Megjithatë, kjo nuk nënkupton përjashtimin e plotë të opsionit ushtarak. Rubio ka lënë të hapur mundësinë e sulmeve amerikane nëse Irani ndërmerr i pari veprime ushtarake.

Ndërkohë, një zyrtar tjetër amerikan e ka cilësuar operacionin e Marinës së SHBA-së për çminimin e Ngushticës së Hormuzit si një moment kyç në konflikt.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, operacioni ka neutralizuar në masë të konsiderueshme një prej instrumenteve kryesore që Teherani mund të përdorte për të ushtruar presion në këtë korridor strategjik detar.

Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi të veçantë për tregtinë globale të energjisë dhe tensionet në zonë kanë ngritur shqetësime për furnizimin me naftë dhe gaz.

Sinjalet e fundit nga Uashingtoni tregojnë se administrata amerikane po i jep përparësi presionit ekonomik dhe diplomatik ndaj Iranit, ndërsa opsioni ushtarak mbetet në tryezë në rast të një përshkallëzimi të ri nga Teherani.