Thaçi takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Thaçi tha se me sekretarin Pompeo kanë pasur një bisedë të shkëlqyeshme dhe pajtim të plotë për hapat e ardhshëm.
“Bisedë e shkëlqyeshme dhe pajtim i plotë për rrugën përpara. SHBA-ja dhe Kosova gëzojnë raporte të shkëlqyera dhe do të vazhdojmë t’i thellojmë ato. Faleminderit sekretar Pompeo për përkushtimin në mbështetjen e Kosovës për integrimin e plotë në familjen euro-atlantike. Kosova është e bekuar me besimin dhe partneritetin e SHBA-së”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Uashington është pritur edhe nga nënsekretarin e mbrojtjes së SHBA-së David L. Norquist.
Thaçi tha se takimi me zyrtarët e lartë të Pentagonit ka qenë i frytshëm si dhe ka shprehur falenderim për mbështetjen e SHBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në rrugën e anëtarësimit të saj në NATO.
“Mirënjohjes ndaj SHBA-së për mbështetjen e madhe për FSK-në dhe rrugën tonë drejt NATO-s. Faleminderit nënsekretar i Mbrojtjes, David L. Norquist për takimin e frytshëm dhe përkushtimin e Pentagonit për ushtrinë tonë, e cila është e gatshme të shërbejë përkrah aleatëve tanë të NATO-s. Është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit që Kosova t’i bashkohet së shpejti NATO-s”, ka shkruar presidenti Thaçi në Twitter.
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar angazhimet për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Përkundër faktit që bisedimet ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, në fillim të këtij viti me ndërmjetësimin e të dërguarit presidencial të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, të dyja vendet kanë nënshkruar marrëveshje për hapjen e linjës ajrore dhe asaj hekurudhore.
Eunews.al