Gazetarja Léa Salamé ka njoftuar se do të largohet përkohësisht nga drejtimi i edicionit kryesor të lajmeve të televizionit publik francez, “20h”, ndërsa partneri i saj, eurodeputeti Raphaël Glucksmann, garon për presidencën e Francës.
Vendimi vjen një ditë pasi Glucksmann shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për të pasuar Emmanuel Macron në krye të shtetit francez.
“20h është një hapësirë strategjike, ku intervistat me kandidatët dhe raportimet nga fushata do të jenë ndër momentet kryesore të vitit të ardhshëm. Kudo ku zhvillohet fushata, unë do të tërhiqem. Në çdo fushë tjetër, jam dhe do të mbetem gazetare”, shkroi Salamé në Instagram.
Që prej marrjes së drejtimit të edicionit të mbrëmjes në France TV, gazetarja është përballur me pikëpyetje mbi një konflikt të mundshëm interesi, për shkak të ambicieve presidenciale të Glucksmann.
Eurodeputeti, i cili është në një lidhje me Salamé prej më shumë se një dekade, pranoi se kandidatura e tij do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek partnerja.
“Si në çdo çift, kur vendimi i njërit ka një ndikim kaq të madh në jetën e tjetrit, kemi zhvilluar biseda të gjata”, deklaroi Glucksmann.
Salamé kishte paralajmëruar që në muajin shkurt, gjatë një seance dëgjimore parlamentare, se do të tërhiqej nëse partneri i saj vendoste të kandidonte për president.
Ajo kishte vepruar në mënyrë të ngjashme edhe gjatë dy zgjedhjeve të fundit evropiane, kur Glucksmann drejtonte listën e qendrës së majtë të Partisë Socialiste, duke u tërhequr nga mbulimi i çështjeve politike në emisionin e mëngjesit të France Inter.
Vendimi për largimin e përkohshëm nga “20h” është marrë në koordinim me drejtuesit e televizionit publik francez.
Salamé e cilësoi atë si një zgjedhje “të qartë dhe njëkohësisht të vështirë”, duke theksuar se buron nga standardet etike që i ka vendosur vetes, por se largohet nga një program që e ka ndërtuar dhe drejtuar gjatë vitit të fundit.


