Taulant Balla vazhdon betejën për zbardhjen e dosjes “CEZ”. Kërkon në Gjykatë kalimin e saj në SPAK
Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për shpallje të mos-kompetencës për gjykimin e dosjes “CEZ”, ndërsa ka kërkuar që kjo çështje t’i kalohet për gjykim SPAK.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i pranishëm në Gjykatën Penale ka insistuar që kjo çështje, e cila ka prodhuar akuza të forta politike t’i kaloj tani për hetim Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Sipas Taulant Ballës, dosja e “CEZ”, për të cilën janë kallëzuar penalisht funksionarë të ish-qeverisë Berisha, duhet të gjykohet nga një organ më i besueshëm, ndërsa shpresën e sheh tek organi i ri i drejtësisë, i nhjohur ndryshe si SPAK-u.
“Janë kallëzuar funksionarë të qeverisë Berisha. Nue Kalaj s’është marrë në pyetje nga prokuroria. Nuk mund të gjykohet më nga gjykata e Tiranës. Të gjykohet nga një gjykatë më e besuar nga publiku. Çështja duhet të gjykohet nga SPAK. Janë dërguar letërporosi në Kosovë, Kalaj s’është gjetur . Autoritetet e Kosovës nuk marrin masa për ekstradim”-tha Balla.
Kërkesë : Për moskompetencën lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
Drejtuar : Lazër Sallaku
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Baza Ligjore : Neni 75 shkronja “ a” dhe” ç”, neni 83 të Kodit të Procedurës Penale
I nderuar Z. gjyqtar,
Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr.36 ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe dërgimin e këtij raporti në Prokurori për fillimin e çështjes penale.
Komisioni Hetimor i Kuvendit, ka arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009”Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjitikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj marrëveshje “
Çështja hetimore nr.7340/2017, për të cilën është depozituar kërkesë për pushim lidhet me hetimin e “ shpërdorimin e detyrës “të funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar që kanë ndjekur procedurat për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH sh.a si dhe atë të “ ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ dhe’ pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 248, 245/1 dhe 287 të Kodit Penal.
Në nenit 75 të Kodit të Procedurës Penale shkronja” a “ vepra penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ parashikuar nga neni 245/1 është vepër penalë në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vepra penale e” shpërdorimit të detyrës” për të cilën Kuvendi ka depozituar kallëzimin në prokurori nga ish funksionare sipas shkronjës “ç“ të nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale është në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më datë 19.12.2019 , ka filluar funksionin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimi penal nga Kuvendi.
Në këto rrethana Kërkojmë :
Shpalljen e moskompetencën të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë .
Kërkuesi
Kuvendi i Shqipërisë
Eunews.al