Liderja e opozitës islandeze: BE të mos ndërhyjë në referendumin për anëtarësimin

27 Jul 2026 22:40
Shpërndaje:

Kryetarja e Partisë së Pavarësisë, forca më e madhe opozitare në Islandë, Guðrún Hafsteinsdóttir, u ka bërë thirrje politikanëve evropianë të mos ndikojnë në referendumin e 29 gushtit, ku qytetarët do të vendosin nëse vendi duhet të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky vendim t’i lihet kombit islandez. Njerëzit duhet t’i lënë islandezët ta kalojnë këtë proces pa ndikime nga jashtë”, tha Hafsteinsdóttir për Politico.

Ajo, e cila kundërshton anëtarësimin në BE, tha se çështja lidhet ngushtë me identitetin kombëtar të Islandës.

Reklamë Ola

“Pavarësia është një çështje emocionale për islandezët. Ne kemi qenë të pavarur vetëm rreth 100 vjet nga një histori prej 1,200 vitesh”, u shpreh ajo.

Referendumi nuk do të vendosë për anëtarësimin e Islandës në BE, por vetëm nëse vendi duhet të rifillojë negociatat e ndërprera me Brukselin. Çdo marrëveshje e mundshme për anëtarësim do t’i nënshtrohej më pas një referendumi të dytë.

Reklamë InterMedika

Sondazhet tregojnë se votimi pritet të jetë shumë i ngushtë për rifillimin e negociatave, ndërsa shumica e qytetarëve vijojnë të kundërshtojnë anëtarësimin e plotë në BE.

Referendumi ishte një premtim i koalicionit qeverisës të kryeministres Kristrún Frostadóttir, i cili mori detyrën në fund të vitit 2024. Aleanca qeverisëse, e njohur si “Qeveria e Valkyrieve”, përbëhet nga tre parti të drejtuara nga gra, njëra prej të cilave mbështet anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, disa figura të larta evropiane kanë mirëpritur mundësinë e rifillimit të negociatave. Eurodeputetja franceze Valérie Hayer ka kërkuar që procesi i zgjerimit të bëhet më i lehtë, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos është shprehur se BE-ja “do të jetë gati” nëse Islanda vendos të anëtarësohet, ndërsa ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot ka deklaruar se Reykjaviku “nuk ka asgjë për të humbur” duke rifilluar negociatat.

Megjithatë, Hafsteinsdóttir theksoi se Islanda dëshiron bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, por jo domosdoshmërisht anëtarësim.

“Mesazhi im për Brukselin është se Islanda është një mike e afërt dhe dëshiron bashkëpunim të fortë. Por miqësia nuk kërkon domosdoshmërisht anëtarësim. BE-ja duhet të respektojë faktin që Islanda mund të jetë një partnere e besueshme evropiane edhe jashtë Unionit”, tha ajo.

Sipas saj, shqetësimi kryesor është ruajtja e sovranitetit mbi sektorë kyç si peshkimi, bujqësia dhe politika ekonomike.

“Pyetja është nëse Islanda duhet t’ia transferojë Bashkimit Evropian vendimet kryesore për peshkimin, bujqësinë dhe ekonominë. Unë besoj se kjo nuk është në interes të Islandës”, u shpreh liderja e opozitës.

Ajo shtoi se, si një shtet i vogël pa ushtri të përhershme, Islanda ka nevojë për aleanca të forta, por edhe për të ruajtur të drejtën për të marrë vendime që i përshtaten interesave të saj kombëtare.