Kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë këtë të mërkurë mbledhjen e fundit të kabinetit në Downing Street, duke i dhënë fund mandatit të tij në krye të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Pas takimit me ministrat, Starmer do të paraqitet për herë të fundit në Dhomën e Komunëve për seancën tradicionale të Pyetjeve të Kryeministrit (PMQ), ku do të përballet me lideren e opozitës, Kemi Badenoch.
Sipas mediave britanike, anëtarët e kabinetit pritet ta përshëndesin Starmer me një kartolinë dhe një dhuratë simbolike, që besohet të jetë një orë tavoline, në shenjë vlerësimi për drejtimin e qeverisë.
Kjo do të jetë gjithashtu seanca e fundit e Parlamentit përpara pushimeve verore. Deputetët do të ndërpresin punimet të enjten dhe do t’i rikthehen aktivitetit parlamentar në muajin shtator.
Ndërkohë, Andy Burnham pritet të marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të hënën e ardhshme.
Partia Konservatore ka kritikuar vendimin për të mos zgjatur punimet e Parlamentit, duke argumentuar se kryeministri i ri nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për më shumë se gjashtë javë pas marrjes së detyrës.
Nga ana tjetër, ekipi i Burnham ka bërë të ditur se ai do ta shfrytëzojë periudhën e verës për të zhvilluar takime me qytetarët në mbarë vendin dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre, duke e cilësuar këtë si një mënyrë të re komunikimi dhe qeverisjeje.