Shtëpia e Bardhë mirëpret takimin Kosovë-Serbi
Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi, janë të rëndësishme për të çuar përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. O’Brien, tha se nuk ka plan sekret.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, takohen të enjtën dhe të premten në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Shtëpia e Bardhë në një njoftim për medie tha se e mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, që është edhe ndërmjetës i këtij takimi, ka thënë se bisedimet janë të rëndësishme për të çuar përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Ai mohoi ekzistencën e ndonjë plani sekret të SHBA-së për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.
Synimet amerikane
“SHBA synojnë të çojnë përpara bashkëpunimin ekonomik që të përfitojnë qytetarët dhe që të shërbejë si bazë për zgjidhjen politike. Mirëpres mbërritjen e Presidentit Vuçiq dhe të Kryeministrit Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i dy udhëheqësve për dialog do të sjellë përfitime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën” tha Robert O’Brien.
Projektet infrastrukturore do të jene temat e takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, citojnë mediet në Prishtinë, një zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Bashkëpunimi ekonomik
“Ne jemi të përqëndruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë, për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje mundësojnë zhvillimin ekonomik”, tha ai. Sipas tij, Shtëpia e Bardhë synon ta përmbysë skenarin e deritanishëm për të provuar nëse “zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, mund të ndryshojë dinamikën”.
Më herët ishtë thënë se pjesë e takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë edhe vet presidenti Donald Tramp, por kjo ende nuk është konfirmuar.
Delegacini i Kosovës nga e hëna në SHBA
Delegacioni i Kosovës ka mbërritur në SHBA ditën e hënë. Kryeministri Avdullah Hoti, në një postim në rrjetet sociale tha se “në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë çuar drejt lirisë, pavarësisë dhe integrimit euro-atlantik të shtetit të Kosovës”.
“Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë. Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun rajonal dhe evropian”, shkroi Hoti.
Daçiq: Në SHBA do të ketë presione
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në Uashington do të ketë presione të mëdha, si për Serbinë ashtu edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, sipas tij, ultimatumi nuk është mënyra për të zgjidhur problemin.
“Unë e di sesi funksionon e gjitha. Presioni do të jetë i madh mbi shtetin dhe mbi Aleksandar Vuçiqin, me shantazhe dhe kërcënime për të ardhmen e tij. Por unë e di se si reagon Vuçiqi ndaj kësaj, kështu që unë nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatumin Serbisë ose Vuçiqit. Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemin”, citojnë mediet në Serbi Daçiqin.
Roli i BE
Zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se Shtëpia e Bardhë që kësaj radhe ndërmjetëson takimin Kosovë-Serbi, po i koordinon të gjitha përpjekjet edhe me Bashkimin Evropian. Menjëherë pas takimit të Uashingtonit, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të udhëtojnë edhe në Bruksel, ku 7 shtator do të takohen në nivelin më të lartë politik, në një takim të ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe i ngarkuari i tij në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se një takim në nivel të ekspertëve do të mbahet edhe gjatë fundjavës së ardhshme, ku do të diskutohen siç tha ai, “çështjet që kanë të bëjnë me aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë”.
Eunews.al