Shqipëria përgatitet për kontributin financiar në buxhetin e BE-së, pagesat nisin vetëm pas anëtarësimit

30 Aug 2026 22:21
Shpërndaje:

Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në përgatitjet teknike dhe administrative për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke nisur ndërtimin e kuadrit ligjor që do të përcaktojë mënyrën se si vendi do të llogarisë, planifikojë dhe paguajë kontributin e tij në buxhetin e përbashkët europian.

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “Për kontributin kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian”, i cili synon të krijojë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe institucionale për detyrimet financiare që Shqipëria do të ketë pasi të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së.

Nisma lidhet drejtpërdrejt me detyrimet që burojnë nga Kapitulli 33 i negociatave të anëtarësimit, “Dispozitat financiare dhe buxhetore”. Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë së Financave, aktualisht mungon një kuadër ligjor horizontal që të përcaktojë mekanizmat e bashkëpunimit ndërinstitucional për administrimin e këtij procesi.

Reklamë Ola

Projektligji synon që institucionet shqiptare të jenë të përgatitura për zbatimin e acquis communautaire në fushën e Burimeve të Veta të Bashkimit Europian. Një nga objektivat është garantimi i saktësisë së të dhënave dhe raportimeve që do të përdoren për përcaktimin e kontributit financiar të Shqipërisë.

Në relacion theksohet se kuadri i ri duhet të ndihmojë në minimizimin e “rrezikut të korrigjimeve financiare, penaliteteve apo interesave të vonesës”, të cilat mund të krijonin kosto për buxhetin e shtetit në rast të raportimeve të pasakta apo mosrespektimit të detyrimeve.

Reklamë InterMedika

Projektligji përmban 22 nene dhe i jep Ministrisë së Financave rolin e Autoritetit Kombëtar Koordinues. Zbatimi i tij, megjithatë, do të kërkojë bashkëpunimin e disa institucioneve që administrojnë të dhënat financiare, statistikore, tatimore dhe doganore.

Në proces do të përfshihen Instituti i Statistikave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ministria përgjegjëse për mjedisin.

Një nga risitë kryesore është parashikimi për ngritjen e “Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të Bashkimit Europian”. Sistemi do të shërbejë për unifikimin e informacionit të nevojshëm dhe për garantimin e integritetit dhe gjurmueshmërisë së të dhënave statistikore dhe doganore, në përputhje me standardet europiane.

Në këtë mënyrë synohet të shmanget fragmentimi i informacionit mes institucioneve dhe të krijohet një mekanizëm i përbashkët për të dhënat mbi të cilat do të mbështeten llogaritjet dhe raportimet e ardhshme ndaj BE-së.

Sa i përket kostove për buxhetin e shtetit, relacioni i firmosur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaron se faza e para-anëtarësimit nuk do të sjellë pagesa të drejtpërdrejta të Shqipërisë në buxhetin e BE-së dhe as kosto të drejtpërdrejta financiare për qytetarët.

Shpenzimet që mund të nevojiten për përmirësimin e sistemeve informatike dhe trajnimin e administratës parashikohet të përballohen nga buxhetet ekzistuese të institucioneve, si dhe përmes fondeve të asistencës së para-anëtarësimit dhe instrumenteve të tjera mbështetëse të Bashkimit Europian.

Kontributet e mirëfillta financiare të Shqipërisë në buxhetin e përbashkët të BE-së do të aktivizohen vetëm pasi vendi të fitojë statusin e anëtarit me të drejta të plota.

Projektligji përbën kështu një përgatitje paraprake të administratës dhe institucioneve shqiptare për detyrimet financiare që do të lindin nga anëtarësimi, duke ngritur që tani mekanizmat që do të nevojiten për llogaritjen, koordinimin dhe raportimin e kontributit të Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian.