Thirrja e ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, për organizimin e zgjedhjeve gjatë luftës ka shkaktuar reagime të forta në Kiev dhe ka hapur një debat të ri politik në një moment veçanërisht të vështirë për Presidentin Volodymyr Zelensky.
Fedorov, shkarkimi i të cilit muajin e kaluar shkaktoi protesta në mbarë vendin, kërkoi gjetjen e një “mekanizmi ligjor, të sigurt dhe realist” që do t’i mundësonte Ukrainës rikthimin në një proces të plotë demokratik, pavarësisht vazhdimit të luftës me Rusinë.
“Po sikur lufta të zgjasë edhe një, dy apo tre vjet? A mund të fitojë Rusia në mënyrë efektive të drejtën për të përcaktuar se kur ukrainasit mund të zgjedhin përsëri qeverinë e tyre?”, deklaroi Fedorov. Sipas tij, “demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”.
Propozimi është kundërshtuar menjëherë nga politikanë të forcave të ndryshme. Ligji ushtarak, i vendosur pas nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022, nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale apo parlamentare. Gjatë kohës që ai është në fuqi ndalohen gjithashtu ndryshimet kushtetuese.
Kryetarja e partisë liberale dhe proevropiane Holos, Kira Rudik, tha se Kushtetuta nuk ndryshoi pas shkarkimit të Fedorov dhe kundërshtoi idenë që vendi të hyjë në një proces zgjedhor gjatë luftës.
“Zgjedhjet nuk mund të zhvillohen nën ligjin ushtarak. Është e gabuar të kërkosh përçarjen e vendit për t’i shërbyer ambicieve politike të dikujt”, deklaroi ajo.
Edhe deputeti Mykola Kniazhytskyi, nga partia opozitare Solidariteti Evropian e ish-presidentit Petro Poroshenko, paralajmëroi se zhvillimi i zgjedhjeve nën sulmet ruse me raketa dhe dronë do të krijonte probleme serioze sigurie dhe logjistike.
Përveç sulmeve të vazhdueshme, një proces zgjedhor do të duhej të garantonte votën e miliona ukrainasve të zhvendosur, qytetarëve që ndodhen jashtë vendit, ushtarëve dhe banorëve të zonave pranë frontit. Një tjetër shqetësim është mundësia e ndërhyrjes së Rusisë në procesin zgjedhor.
Debati vjen ndërsa Zelensky përballet me rritje të tensioneve politike dhe skandale korrupsioni që kanë dëmtuar besimin publik. Zyra presidenciale është përfshirë gjithashtu nga hetimet e reja antikorrupsion në kuadër të operacionit të quajtur “Forrest Gump”.
Deputeti Roman Lozynskyi paralajmëroi se zgjedhjet gjatë luftës mund t’i shërbejnë Moskës, duke krijuar terren për manipulime, lajme të rreme dhe përplasje të brendshme. Megjithatë, sipas tij, problemet me korrupsionin dhe qeverisjen kanë bërë që ideja e zgjedhjeve të mos mund të përjashtohet më lehtësisht nga debati publik.
Fedorov nuk është i vetëm në këtë qëndrim. Edhe ish-ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba është shprehur në favor të diskutimit për zgjedhje, duke argumentuar se askush nuk e di se sa gjatë mund të vazhdojë lufta.
“Po sikur të zgjasë edhe tre vjet? Do të vazhdojmë të jetojmë me modelin politik të krijuar në vitin 2019, i cili tashmë është i konsumuar emocionalisht. Ka kërkesë mes njerëzve për deputetë të rinj”, deklaroi Kuleba.
Ukraina duhej të zhvillonte zgjedhjet parlamentare në tetor 2023 dhe ato presidenciale në mars 2024, por të dy proceset u shtynë për shkak të luftës.
Zelensky nuk e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e zgjedhjeve gjatë luftës, por ka deklaruar se një proces i tillë do të kërkonte mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare, përfshirë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, për të garantuar sigurinë dhe të drejtën e votës për ukrainasit brenda dhe jashtë vendit.
Debati i ri e vendos Presidentin ukrainas përballë një prej sfidave më serioze të brendshme që prej nisjes së pushtimit rus, ndërsa vendi duhet të balancojë nevojën për unitet në luftë me presionin në rritje për llogaridhënie dhe funksionim demokratik.


