Europa kthen sytë nga satelitët për të luftuar zjarret

20 Aug 2026 10:37
Shpërndaje:

Teksa zjarret po godasin sërish vende të ndryshme të Evropës, teknologjia satelitore po shndërrohet në një nga mjetet kryesore për zbulimin e hershëm dhe monitorimin e vatrave. Rreth 600 mijë hektarë janë djegur në vendet e Bashkimit Evropian që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Franca, Spanja, Britania e Madhe dhe së fundmi Belgjika janë përballur me zjarre të mëdha.

Satelitët mund t’u sigurojnë autoriteteve dhe zjarrfikësve të dhëna pothuajse në kohë reale, duke identifikuar vatrat e reja, matur intensitetin e tyre dhe përcaktuar zonat e prekura. Synimi tashmë është që teknologjia të përdoret jo vetëm për menaxhimin e zjarreve, por edhe për t’i zbuluar ato në fazat e para dhe, në të ardhmen, për të parashikuar zonat me rrezik të lartë.

Greqia, e cila vitet e fundit është përballur vazhdimisht me zjarre të mëdha, është ndër vendet që ka avancuar më shumë në këtë drejtim. Në fillim të majit, katër satelitë të vegjël u dërguan në hapësirë me një raketë të SpaceX, me detyrën specifike për të ndihmuar në zbulimin dhe gjurmimin pothuajse në kohë reale të zjarreve.

Reklamë Ola

Ata janë pjesë e “Hellenic Fire System”, të cilin qeveria greke e ka prezantuar si sistemin e parë kombëtar satelitor të këtij lloji. Projekti është zhvilluar përmes bashkëpunimit me Agjencinë Evropiane të Hapësirës, institucionet greke, platformën gjermane Ororatech dhe kompaninë finlandeze ICEYE.

Satelitët janë të pajisur me sensorë infra të kuq që identifikojnë energjinë termike të çliruar nga zjarret. Në këtë mënyrë mund të zbulohen vatrat e nxehta dhe të vlerësohet intensiteti i tyre, duke u dhënë ekipeve në terren mundësinë për të reaguar më shpejt.

Reklamë InterMedika

“Duke integruar kapacitetet hapësinore në sistemet tona të emergjencave, po u japim shërbimeve zjarrfikëse mjetet që u nevojiten për të reaguar më shpejt”, deklaroi ministri grek i Qeverisjes Digjitale dhe Inteligjencës Artificiale, Dimitrios Papastergiou.

Teknologjia satelitore po përdoret gjithashtu për përmbytjet, shpyllëzimin e paligjshëm dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Kompania finlandeze ICEYE, e specializuar në monitorimin satelitor, siguroi këtë vit 1 miliard euro financim të ri dhe u bë kompania e parë që mori mbështetje nga fondi i ri “Scaleup Europe Fund”.

Drejtori ekzekutiv i ICEYE, Rafal Modrzewski, tha se kompania po punon për të kaluar nga menaxhimi i zjarreve te parashikimi ose të paktën identifikimi i tyre në një fazë shumë më të hershme.

Sipas tij, përdorimi i këtyre kapaciteteve do të ishte më efikas nëse Bashkimi Evropian do të vepronte në mënyrë të koordinuar, në vend që 27 shtetet anëtare të ndërtonin sisteme të veçanta.

Komisioni Evropian tashmë përdor të dhëna satelitore përmes Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, i cili monitoron vatrat aktive dhe sipërfaqet e djegura duke shfrytëzuar të dhëna nga satelitët e NASA-s dhe programi evropian Sentinel-3.

Aktualisht, të dhënat dhe imazhet përditësohen çdo 10 minuta. Megjithatë, lëshimi i një sateliti të ri të gjeneratës së tretë Meteosat pritet ta reduktojë këtë interval në vetëm 2.5 minuta, duke rritur ndjeshëm mundësinë për zbulimin e hershëm dhe parashikimin e zjarreve.