Senati amerikan i hap rrugë konfirmimit të Eric Wendt

31 Jul 2026 12:42
Shpërndaje:

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që i hap rrugën shqyrtimit dhe votimit të kandidaturës së Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.

Rezoluta u miratua të enjten me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas vijave partiake, duke përfshirë në paketë 74 emërime të administratës amerikane. Megjithatë, kjo nuk përbën ende konfirmimin e Wendt, por vetëm lejon kalimin e kandidaturës së tij në votimin final në Senat.

Nëse konfirmohet, Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë.

Reklamë Ola

Kandidatura e Wendt u dërgua në Senat nga presidenti Donald Trump më 13 prill 2026, ndërsa më 20 maj ai u paraqit para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku prezantoi prioritetet e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

Gjatë dëshmisë, Wendt tha se ndihej i nderuar për besimin e dhënë dhe se, nëse konfirmohet, do të fokusohet në mbrojtjen e qytetarëve amerikanë dhe avancimin e interesave të SHBA-së.

Reklamë InterMedika

Ai vlerësoi bashkëpunimin me Forcat Speciale shqiptare, duke i cilësuar ato si mishërim të “shpirtit luftëtar të Skënderbeut”, ndërsa e përshkroi popullin shqiptar si krenar, punëtor dhe mikpritës.

Sipas Wendt, prioritetet e tij do të jenë forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, zgjerimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, nxitja e investimeve amerikane në sektorë strategjikë, si dhe kujdesi për mirëqenien e stafit diplomatik amerikan në Shqipëri.

Më herët, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke ia përcjellë Senatit për shqyrtimin përfundimtar.