Kryeministri Edi Rama deklaroi se industria ushtarake e rilindur e Shqipërisë do t’i mundësojë vendit jo vetëm të plotësojë nevojat e veta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe të eksportojë produkte ushtarake në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri nga kompania “Timak Defence”, Rama tha se vendi ka lidhur marrëveshje me kompani të mëdha të industrisë ushtarake dhe se në të ardhmen edhe ushtria amerikane mund të pajiset me produkte shqiptare.
“Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake dhe mos u çudisni kur një ditë të vijmë përsëri këtu dhe të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu, të cilat do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane. Prodhime ‘Made in Albania'”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ky zhvillim dëshmon transformimin e Shqipërisë dhe potencialin e industrisë vendase për të prodhuar pajisje me standarde ndërkombëtare.
Rama mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve taktike për Forcat e Armatosura, të prodhuara nga kompania “Timak Defence”, një start-up shqiptar ku shteti është aksioner përmes partneritetit mes “Timak” dhe kompanisë shtetërore KAYO, e krijuar për zhvillimin e partneriteteve në industrinë e mbrojtjes.


