×
E enjte, 29 Tetor, 2020

Revolucioni i shëndetit, njeriu ekonominë apo ekonomia njeriun?

6 Korrik, 2020

Nga: Profesor: Anastas Angjeli

Ndërsa shumica e vendeve të prekura nga pandemia Covid-19 po shkojnë drejt një hapjeje graduale, kjo pandemi vazhdon, çka po shoqërohet me tronditje të rëndë të shëndetit publik, me ekonomi të zhytura në recension, me shtim dhe thellim të problemeve sociale dhe varfërisë, me thellim të disproporcioneve në të ardhurat, pasuritë, me zhvillime e tensione gjeopolitike. Sipas të dhënave të datës 4 korrik 2020, numri i të prekurve nga pandemia e Covid-19 arriti në 11 milionë njerëz, duke marrë 529 000 jetë njerëzish. Tashmë është e qartë se këto fenomene, ku më pak e ku më shumë, kanë prekur dhe shqetësojnë dhe vendin tonë, në të cilin gjithashtu numri i të infektuarve në dt. 4 korrik 2020 arriti në 2893 vetë dhe duke marrë 76 jetë njerëzish. Referuar të dhënave të INSTAT-it, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë, 6-mujori i parë i këtij viti në vendin tonë ka reflektuar, ashtu si edhe në gjithë vendet e prekura nga Covid-19, pasojat në ekonomi dhe jetën sociale të qytetarëve. Kështu, rënia ekonomike pritet të jetë 5 %, deficit buxhetor mbi 8% të GDP dhe borxhi publik do të kalojë 80% të GDP. Edhe pse ka filluar rikthimi në punë, papunësia dhe varfëria do të vazhdojnë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të mbeten shqetësim.

Në këto kushte, të gjithë politikëbërësit, punonjësit e Shëndetit Publik, komuniteti i biznesit, shkencëtarët, vetë qytetarët e thjeshtë, kudo, kanë nxjerrë mësime nga kjo situatë. Debatet e ndryshme rreth çështjeve e problemeve që ka nxjerrë kjo situatë dhe “fati i së ardhmes” janë në qendër të vëmendjes. Në shumëllojshmërinë e tyre, në këtë moment ka sunduar qartësia midis vëmendjes ndaj “Njeriut, kujdesit për shëndetin” dhe “ekonomisë”. Ky është një “binom” ku vështirë të bëhet ndarje. Lidhjet në këtë “binom” janë reciproke, shumë të forta e komplekse, me ndikim të ndërsjellë. Por, pa njeriun nuk ka ekonomi, nuk ka asgjë. Për më tepër, pa shëndetin e njeriut vështirë të kesh ekonomi të shëndetshme, edhe falë zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, pjellë e mendjes njerëzore. Prandaj, në përgjigje të pyetjes “NJERIU APO EKONOMIA”, edhe pse jo e lehtë, le ta fillojmë këtu me NJERIUN dhe …

SHËNDETI NJË E MIRË PUBLIKE, MË SHUMË GARANCI DHE FINANCIME PER TË

Kjo krizë na risjell në vëmendje rolin parësor që duhet të kemi në kujdesin për njeriun, kujdesin për shëndetin e njeriut. Nga pikëpamja ekonomike, shëndeti është një e mirë publike globale, sepse nuk mund të prodhohet si një produkt i shitur në treg për konsumatorët individualë nga prodhuesit privatë. Prodhuesit privatë të mallrave të ndryshme përjashtojnë nga konsumi i shërbimeve të tyre të gjithë konsumatorët që nuk paguajnë çmimin e caktuar. Po për shërbimet publike dhe në rastin konkret për shërbimin shëndetësor, kështu duhet të veprojë dhe shteti? Unë mendoj që jo. Përveç kësaj, shërbimet publike(në rastin konkret shëndetësor) nuk mund t’i refuzohen shtetasit, kurse ato private mund t’u refuzohen konsumatorëve nëse nuk kanë paguar. Që në vitin 1959, autori amerikan Musgave u ka dhënë këtyre të mirave ose shërbimeve publike emërtimin “Të mira merite” ose (Merit Goods), me kuptimin se ato i meritojnë në një masë të caktuar të gjithë shtetasit, pavarësisht nga niveli i të ardhurave të tyre. Edhe nobelisti i shkencave ekonomike, Kenneth Arow, që në vitin 1963, në studimin e tij “The Welfare Economics and Medical Care” argumentoi qartë se shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe të ngjashme me to përfaqësojnë një të mirë publike, që duhet të ofrohen nga shteti dhe t’iu sigurohen të gjithëve.

Prandaj, mbi koncepte të tilla, edhe në legjislacionin shqiptar është përfshirë përkufizimi i shëndetit të njeriut referuar përkufizimit të OBSH-së, se: Shëndeti i njeriut është gjendja e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe shoqërore dhe jo thjesht mungesa e sëmundjeve apo e pafuqisë fizike të organizmit të njeriut. Dhe kjo duhet konsideruar edhe praktikisht.

E them këtë, sepse në fakt, me zhvillimet e globalizimit, një hop të madh mori edhe zhvillimi i tregut shëndetësor (natyrisht dhe në vendin tonë). Madje, organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshi dhe Bankën Botërore, vitet e fundit kanë zhvilluar instrumente financiare të reformave shëndetësore me një qasje ekonomike shumë të diskutueshme “të zhvillimit të tregut shëndetësor”, sidomos kur bëhet fjalë për të evituar rrezikun e një pandemie globale. (Stein dhe Sridhar, 2017). Vërtet shëndetësia hyri në treg dhe zhvillohet me ritme shumë të shpejta, por sa e garanton ajo shëndetin publik në tërësi? Në çfarë raporti duhet të qëndrojnë shërbimi privat shëndetësor me atë publik, veçanërisht në rastet e epidemive e pandemive? Ndoshta rregullat e drejtimeve dhe përmasave të shtrirjes në treg duhen riparë me kujdes, që jo vetëm e gjithë popullsia të përfitojë shërbimin e nevojshëm shëndetësor të harmonizuar nga sektori publik dhe privat, por edhe shkalla e mbështetjes së tyre të përcaktohet më drejt. Pandemia vuri në pikëpyetje të gjitha këto elemente. Bota dhe çdo vend kuptoi që tani mund të kërcënohet nga mungesa e shëndetit publik (ose, saktësisht, nga shfaqja e epidemive dhe pandemive) në çdo kohë e pikë të planetit dhe të humbasë pa kuptuar jo vetëm nivelin ekonomik, por mbi të gjitha, ekzistencën e saj. Njerëzit filluan të kuptojnë se një politikë për ndryshimin e sistemit të prodhimit që duhet të fillojë me mbrojtjen e njeriut, shëndetit të tij, të vazhdojë me një “politikë të gjelbër industriale”. Kështu mund të realizohet një revolucion i një lloji të ri në tregun ekonomik, me në qendër shëndetin, ambientin dhe inovacionin e teknologjinë. Prandaj, edhe ne duhet të orientohemi më mirë drejt kësaj ideje. Drejt bindjes së plotë se njeriu dhe kujdesi për shëndetin janë të parat. Por a mjaftojnë vetëm këto politika? Apo duhet edhe …

POLITIKA FISKALE ME FOKUS ZHVILLIMIN E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJEN E SHËNDETIT TË QYTETARËVE

Ka kohë që BE, OBSH dhe organizma të tjera ndërkombëtare kanë ndjekur me shumë vëmendje politikat e mbështetjes financiare të shëndetit dhe politikat fiskale që ndihmojnë zhvillimin e këtij sektori. Për këtë qëllim janë një sërë direktivash të tyre, të cilat janë detyruese për të gjitha vendet.

Por kriza aktuale, Covid-19, na bën që të reflektojmë më shumë në këtë drejtim. Në radhë të parë, është e domosdoshme të ndiqen “politika më miqësore” buxhetore dhe financuese të këtij sektori, sidomos në mbështetje të kualifikimit dhe kërkimit shëndetësor, stimujve financiarë në raste pandemish. Njëherësh duhen politika të reja mbështetëse për furnizimet me medikamente, me pajisje, teknologjitë e reja, apo masave preventivuese për sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë, për programe psiko-sociologjike në kushtet e pandemisë etj. Së dyti, duhet një vështrim i kujdesshëm dhe ndërtimi i politikave të reja fiskale, që mbrojnë shëndetin e qytetarëve nga kequshqyerja.(Taksat për një shëndet më të mirë etj.).

Ne nuk po aplikojmë “taksë mbi shëndetin”, që ka të bëjë me testimin e të kequshqyerit. Përgjithësisht, në shumicën e shteteve, këto lloj “taksash” janë përdorur tërësisht në interes të sigurimit të të ardhura në buxhet. Kësisoj është nxitur dhe stimuluar prodhimi dhe shpenzimi i produkteve dhe ushqimeve të lira, duke “lënë në harresë sëmundjet dhe ndikimin në shëndetin e qytetarëve”, politika dritëshkurtra në dëme afatgjata.

Shpesh stimulohet prodhimi dhe tregtimi i sa më shumë ushqimeve, pijeve me cilësi të diskutueshme dhe ndikim jo të mirë në shëndetin e njeriut..Si rrjedhojë, në të gjithë globin shihen pasojat e sëmundjeve kronike dhe të mbipeshës nga konsumi i lartë i ushqimit të lirë dhe jo të shëndetshëm. Nevoja për të promovuar një stil të jetës së shëndetshme në të ushqyer i ka detyruar politikëbërësit të veprojnë, jo vetëm brenda një kornize të rregullt zbatimi të sanksioneve, por edhe përmes instrumenteve fiskale, bazuar në aftësinë e tyre për të kushtëzuar sjellje individuale dhe të grupeve sociale.

Kjo është mënyra sesi normat tatimore mund ta orientojnë konsumatorin drejt një ushqyerjeje të shëndetshme. Ndërgjegjësimi mbi efektet pozitive ose negative të shkaktuara nga prodhimi ose konsumimi i ushqimit të shëndetshëm apo jo, është thelbësore të parandalohen shtrembërime në tregun e ushqimit dhe të konkurrencës së lirë.

Në funksion të këtij qëllimi, qeveritë mund të përdorin shumëllojshmëri politikash, nga ato vullnetare deri tek ato të detyrueshme.

Edhe pse në vendin tonë janë konsideruar disa politika fiskale të dobishme në këtë drejtim, sidomos përmes akcizave për disa produkte (duhan, alkool, pije me përmbajtje alkoolike), fenomeni i ndikimit për keq nga shumë ushqime kërkon më shumë vëmendje e kujdes.

Sot p.sh., në vendin tonë, në dhjetë vitet e fundit të prekurit nga diabeti janë trefishuar, kjo sëmundje po shtohet edhe te fëmijët. Gama e “produkteve të lira”, por me ndikim në kequshqyerje është zgjeruar. Prandaj, për t’u marrë me fenomenet negative që shkakton kequshqyerja, shtete të veçanta kërkojnë të ndërhyjnë nëpërmjet instrumenteve fiskale ose administrative ose me anë të informacionit, vetëdijesimit dhe fushatave edukative.

Prandaj, politika dhe strukturat tatimore, në përputhje me direktivat e BE-së dhe OKB-së, OBSH-së duhet të kenë ndikim më të madh në shëndetin publik, ndërsa në të njëjtën kohë të prodhojnë një rrjedhë më të qëndrueshme, të besueshme të të ardhurave nga taksat. Njëherësh, ndërhyrjet nëpërmjet një administrate të konsoliduar tatimore, përfshirë përdorimin e një sistemi më të lartë të monitorimit, përcjelljes dhe gjurmimit që përfshin polet e teknologjisë së lartë dhe licencimin e të gjitha subjekteve të përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e produkteve të dëmshme, shoqëruar me zbatim korrekt të të gjitha masave ndëshkuese që përmban legjislacioni në fuqi.

Së treti, në funksion të këtij qëllimi do të shërbente dhe një ridimensionim i politikave për shpërndarjen e rishpërndarjen e të ardhurave, që do të ngushtonte diferencimin e tejthelluar në nivelin e jetesës midis shtresave të ndryshme të popullsisë, të përfitimit prej shumicës së popullsisë, sidomos të shtresave në nevojë, të më shumë shërbimeve publike.

E pra, me politika të “mençura” dhe të” kujdesshme”, ne duhet t’i shpëtojmë të dyja: “NJERIUN” të parin dhe bashkë me të, edhe “EKONOMINË”

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për