×
Tuesday, June 16, 2026

Rama: Vizita në Basel u pagua me shpenzimet tona, asnjëherë s’kam udhëtuar privatisht me paratë e shtetit

June 16, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale lidhur me vizitën e tij në Basel të Zvicrës, duke mohuar pretendimet se udhëtimi është financuar me fonde publike.

Përmes një reagimi publik, Rama deklaroi se gjatë gati tre dekadave në shërbim publik nuk ka kryer asnjë udhëtim privat me paratë e shtetit, duke theksuar se e njëjta gjë vlen edhe për familjen e tij.

Sipas kryeministrit, vizita në Zvicër u zhvillua me ftesë private nga “ArtBasel”, panairi ndërkombëtar i galerive më prestigjioze të artit në botë, ku janë ekspozuar edhe veprat e tij artistike.

“Kam udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysmë me bashkëshorten, plotësisht me shpenzimet tona”, u shpreh Rama, duke shtuar se në 13 vite në krye të qeverisë ai dhe familja e tij nuk kanë kryer pushime jashtë vendit me fondet e shtetit.

Kryeministri rikujtoi gjithashtu një deklaratë të bërë vite më parë, ku shprehej se askush nuk mund të gjente në xhepin e tij “asnjë qindarkë të fituar në mënyrë të pandershme”, duke theksuar se ky qëndrim mbetet i pandryshuar edhe sot.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi fenomenin e shpifjeve dhe dezinformimit në rrjetet sociale, duke argumentuar se përhapja e akuzave pa prova është bërë gjithnjë e më e lehtë në epokën digjitale.

“Bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë një hapësirë ku gënjeshtra përhapet me shpejtësinë e klikimit, ndërsa e vërteta shpesh mbetet në hije”, u shpreh kryeministri.




Comments are closed.