Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se janë trajnuar dhe certifikuar 100 vullnetarët e parë për përballimin e situatave emergjente, me fokus të veçantë rastet e zjarreve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se vullnetarët janë punonjës të kompanisë publike Illyrian Guard, të cilët kanë zgjedhur të marrin këtë përgjegjësi në shërbim të komunitetit.
Sipas kreut të qeverisë, iniciativa synon të forcojë gatishmërinë për përballimin e emergjencave, duke promovuar vullnetarizmin, solidaritetin dhe përgatitjen si vlera që kontribuojnë në një Shqipëri më të sigurt.
“Janë punonjës të kompanisë publike Illyrian Guard, që zgjodhën të marrin këtë përgjegjësi, duke dëshmuar se vullnetarizmi, solidariteti dhe përgatitja janë vlera që e bëjnë Shqipërinë më të fortë dhe më të sigurt”, shkruan Rama.
Kryeministri shton se synimi është ndërtimi i një modeli bashkëpunimi mes institucioneve, sektorit publik dhe qytetarëve, sipas praktikave të vendeve më të përparuara evropiane.


