Rama: Reforma në drejtësi, arritje e pakthyeshme
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi sot Asamblenë e PS-së në Vlorë. Rama tha se reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian janë thelbësore jo vetëm për anëtarësimin, por edhe për forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në Shqipëri.
Duke folur mbi reformën në drejtësi, Rama theksoi se ajo ishte e domosdoshme për rrugën evropiane të vendit. Rama shtoi se edhe siguria ushqimore është një sfidë e madhe e negociatave dhe e anëtarësimit, por mbi të gjitha shërben për shëndetin e shqiptarëve.
Kreu i qeverisë e cilësoi procesin e integrimit si një “udhërrëfyes” për ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit.
“Reformën në drejtësi sigurisht që duhet ta bënim, sepse pa reformën në drejtësi nuk bëhesh dot anëtar i Bashkimit Europian. Pa drejtësi të pavarur sigurisht që nuk bëhesh dot anëtar, por reformën në drejtësi dhe drejtësinë e pavarur ne e duam për veten tonë, për këtu, për të gjithë shqiptarët dhe kështu të gjitha reformat. Edhe sigurinë ushqimore.
“Siguria ushqimore është një sfidë e madhe e negociatave dhe e anëtarësimit, sepse nuk të pranon njeri në Bashkimin Europian, por na duhet për këtu, na duhet për shëndetin e shqiptarëve. Prandaj ky është një proces që është bekim për ne, që ta kemi Bashkimin Europian si udhërrëfyes të të gjitha reformave, të gjitha masave që duhet të marrim që ta bëjmë shtetin këtu. Është proces shtetbërës, por ama shtetbërja është dobia e shqiptarëve, e qytetarëve këtu.
“Një ekonomi më e mirë, një drejtësi më e mirë, institucione më të mira janë të gjitha gjëra që vijnë edhe si rezultat i këtij procesi që bëjmë me ata, edhe i këtyre ligjeve që kalojmë si pjesë e kalendarit të reformave dhe të negociatave, por janë e mira e Shqipërisë, e mira e shqiptarëve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi “se ne duhet të jemi të vetëdijshëm ndërkohë që e gjithë kjo rrëmujë, gjithë ky kaos që njeriu percepton kur hap ato pasqyrat, nuk duhet lejuar të influencojë asnjë nga mbështetësit tanë, asnjë nga ata që na e besuan votën në 11 maj, sepse ne për asnjë arsye nuk e tradhtojmë dhe nuk e kemi tradhtuar në asnjë aspekt atë vote”.
Rama deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas dhe se pavarësia e sistemit gjyqësor është një arritje e pakthyeshme.
“Nuk e kemi marrë atë votë për të kthyer mbrapsht reformën në drejtësi dhe reformën në drejtësi do ta çojmë deri në fund. Nuk e kemi marrë atë votë për të kufizuar pushtetin e drejtësisë dhe pushtetin e drejtësisë, të cilin e pavarësuam ne, Partia Socialiste, sepse pa vullnetin tonë nuk pavarësohej drejtësia. Do të rrinte ashtu siç e gjetëm ne dhe siç ka qenë që nga 1912-ta. Shpata e drejtësisë ishte në zyrën time që nga 1912-ta. Ne ia dorëzuam një pushteti tjetër dhe nuk kemi ndërmend ta marrim mbrapsht për asnjë arsye, përkundrazi, dhe po kështu në të gjitha aspektet e tjera”, tha Rama.







