Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat qytetare janë një element normal i jetës demokratike dhe nuk duhen parë si një përballje force, ndërsa theksoi se do të respektojë deri në fund mandatin e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit.
Në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live” me gazetaren Sidorela Gjoni, Rama u ndal te protestat e vazhdueshme në Tiranë, duke sqaruar deklaratat e tij të mëparshme dhe duke theksuar se nuk ka asnjë dilemë për vijimin e mandatit të tij.
“Mbase e nxjerrë nga konteksti kjo gjë duket sikur unë kam pasur një dilemë. Nuk ishte dilemë, por një mundësi në kushtet kur gjërat që jam këtu për të bërë bëhen të pamundura. Në rast se e flasim konkretisht, unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do ta respektoj deri në fund. Nuk diskutohet”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se protestat nuk duhet të maten me numrin e pjesëmarrësve, por me kauzat dhe qëllimet që ato përfaqësojnë.
“Protestat janë pjesë e jetës demokratike në një vend të lirë. Ato nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra, në kuptimin që pavarësisht nëse janë të mëdha apo të vogla, ato maten me qëllimet, kauzën dhe kërkesat që përfaqësojnë”, tha ai.
Rama nënvizoi se fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhje nuk e përjashton të drejtën e qytetarëve për të pasur mendime të ndryshme dhe për t’i shprehur ato publikisht.
“Fakti që unë dhe Partia Socialiste jemi votuar me një shumicë shumë domethënëse nuk e përjashton faktin që një pjesë e njerëzve në këtë vend kanë një opinion tjetër dhe duan ta shprehin. Këto janë dy gjëra që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, deklaroi kryeministri.