Rama: Projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrsesi, do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare
Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e sotme ndaj disa komenteve në rrjetet sociale në lidhje me aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Elbasan.
Rama iu drejtua protestuesve duke u thënë se kur mblidhen vetë është Shqipëria e re ndërsa kur ka tubime të tjera si ai i Elbasanit, shpërthejnë në ofendime.
Në reagimin që e quajti “shënim i detyruar”, Rama thekson se bashkëngjitur ka shkëputur vetëm disa nga komentet fyese ndaj socialistëve të Elbasanit dhe siguroi se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare.
Shënimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
SHËNIM I DETYRUAR
Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme
Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota.







