Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste do të zhvillojë normalisht aktivitetin e saj për 35-vjetorin e krijimit, pavarësisht protestës së paralajmëruar nga qytetarët në të njëjtën orë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për përballje apo demonstrim force.
Në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live”, Rama tha se qeveria dhe mazhoranca janë të fokusuar te zbatimi i programit për të cilin kanë marrë mandatin e qytetarëve dhe jo te gara politike me kundërshtarët apo protestuesit.
“Ne nuk jemi këtu për të treguar se kush është më i fortë apo kush ka më shumë mbështetje. Nuk është një lojë apo një sport. Është një marrëveshje shumë serioze me popullin shqiptar, një kontratë që duhet zbatuar sipas programit për të cilin njerëzit na kanë votuar”, u shpreh Rama.
Sipas tij, shumica parlamentare ka marrë mandatin për të çuar përpara objektivat strategjikë të vendit, veçanërisht procesin e integrimit europian.
“Disa janë zgjedhur për të votuar dhe për të çuar përpara një projekt historik si anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa disa të tjerë kanë zgjedhur të protestojnë kundër tyre”, tha kryeministri.
Duke komentuar zhvillimin paralel të protestës dhe festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama tha se aktiviteti ishte planifikuar prej muajsh dhe nuk mund të ndryshohej për shkak të protestës.
“Më vjen shumë keq, por ne e kemi planifikuar këtë aktivitet prej kohësh, shumë përpara se të shfaqej kjo protestë. 12 Qershori është ditëlindja e Partisë Socialiste dhe nuk mund ta spostonim këtë datë sepse ka një protestë”, deklaroi ai.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se ora e zgjedhur për aktivitetin lidhet me kushtet atmosferike dhe jo me ndonjë qëllim politik.
“Ora është zgjedhur sepse temperaturat nuk janë më si më parë dhe nuk mund t’u kërkojmë njerëzve të mblidhen në pikën më të nxehtë të ditës. Ne do ta përfundojmë aktivitetin shumë më shpejt”, tha Rama.
Në fund, ai hodhi poshtë pretendimet për provokim apo përballje me protestuesit, duke theksuar se zhvillimi paralel i aktiviteteve është pjesë e jetës demokratike.
“Nuk ka këtu as provokim dhe as përballje. Kjo është jeta demokratike”, përfundoi kryeministri.


