Rama për protestat: Nuk përfaqësojnë gjithë shoqërinë, algoritmet sollën njerëzit në bulevard

15 Aug 2026 19:52
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Shqipëri, duke deklaruar se ato kanë ndryshuar në përbërje krahasuar me protestat e qershorit dhe se tashmë në to janë përfshirë më shumë forca politike dhe grupime opozitare.

Në një intervistë për median britanike “UnHerd”, Rama tha se në protestat e fundit janë përfshirë parti të ndryshme të opozitës, por edhe grupime të ekstremit të majtë dhe të djathtë.

Pavarësisht tensioneve që kanë shoqëruar disa prej tubimeve, kryeministri u shpreh “shumë krenar” për faktin se protestat kanë vijuar për ditë me radhë në mënyrë kryesisht paqësore.

Reklamë Ola

Sipas tij, mundësia që qytetarët të protestojnë lirshëm në bulevard dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre është tregues i funksionimit normal të një shoqërie demokratike evropiane.

Rama kundërshtoi ndërkohë pretendimet se protestat përfaqësojnë në tërësi shoqërinë shqiptare. Ai argumentoi se një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve në tubimet e fundit janë të lidhur me partitë opozitare dhe grupime politike që synojnë rrëzimin e qeverisë.

Reklamë InterMedika

Një pjesë të rëndësishme të intervistës, kryeministri ia kushtoi edhe ndikimit të rrjeteve sociale në mobilizimin e protestuesve. Rama pretendoi se një përqindje e lartë e përmbajtjeve që kanë nxitur protestat është prodhuar jashtë Shqipërisë.

Ai e lidhi vëmendjen e shtuar në rrjetet sociale veçanërisht me përfshirjen e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në debatet që lidhen me projektet turistike në Shqipëri.

“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë njerëzit në bulevard”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, lidhja e debatit me Kushner dhe familjen Trump ka bërë që protestat të marrin një vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Ai argumentoi se në amplifikimin e tyre në rrjetet sociale janë përfshirë edhe persona dhe grupe që kundërshtojnë presidentin amerikan Donald Trump.

Duke iu referuar debateve për projektet në Zvërnec dhe Sazan, Rama mbrojti qëndrimin se zhvillimi i protestave nuk duhet të merret si provë se projektet kanë nisur apo se zonat e mbrojtura janë cenuar.

Në intervistën për “UnHerd”, kryeministri e paraqiti situatën aktuale jo si një krizë të qeverisjes, por si shprehje të pakënaqësive politike dhe sociale. Sipas tij, Shqipëria ka pësuar ndryshime të rëndësishme ekonomike gjatë viteve të fundit, ndërsa protestat dhe kundërshtimi politik janë pjesë e një shoqërie demokratike.