Meta përballet me një gjyq historik, në rrezik ndryshime të mëdha për Instagram dhe Facebook

17 Aug 2026 09:10
Shpërndaje:

Meta do të përballet nga e marta me një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në historinë e saj, i cili mund ta detyrojë kompaninë të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë Instagram dhe Facebook, veçanërisht për përdoruesit e rinj.

Padia, e ngritur në vitin 2023 nga 30 shtete amerikane, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, akuzon Metën për shkelje të ligjeve federale dhe shtetërore mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe privatësinë.

Përveç një kërkese financiare që tejkalon 1 trilion dollarë, paditësit kërkojnë ndryshime të thella në funksionimin e dy platformave.

Reklamë Ola

Ndër masat e propozuara janë verifikimi prindëror për përdoruesit adoleshentë, ndryshimi i algoritmeve që rekomandojnë përmbajtje, kufizimi i filtrave që ndryshojnë pamjen, ndalimi i luajtjes automatike të videove, kufizime për krijimin e llogarive të shumta, ndryshime në funksionimin e Instagram Stories dhe kufizimi i njoftimeve që synojnë rikthimin e përdoruesve në aplikacione.

Sipas shteteve paditëse, këto funksione janë krijuar për të rritur kohën që përdoruesit, veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët, kalojnë në platformat e Metës.

Reklamë InterMedika

Meta i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se provat do të tregojnë angazhimin e kompanisë për sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve.

Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers në Kaliforni. Procesi merr rëndësi të veçantë edhe pas një vendimi të fundit në New Mexico, ku Meta u gjobit me 942 milionë dollarë dhe u detyrua të ndryshojë disa funksione të Instagram dhe Facebook për përdoruesit e mitur.

Në atë rast u kërkua, mes të tjerash, heqja e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën 18 vjeç, kufizime për shpërndarjen e përmbajtjeve me nuditet dhe reduktimi i njoftimeve gjatë orëve të caktuara.

Shtetet argumentojnë se mekanizma si pëlqimet dhe elementët e tjerë të angazhimit ndikojnë negativisht te shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve, duke nxitur krahasimin social dhe varësinë nga rrjetet sociale.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë përfshihen edhe kërkime të brendshme të Metës, sipas të cilave përdorimi i Instagramit lidhet me vetminë, imazhin negativ për trupin, humorin e keq dhe krahasimin social.

Nëse Meta humbet procesin, vendimi mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si miliona përdorues në SHBA përdorin Instagram dhe Facebook, duke ndikuar veçanërisht te përdoruesit e rinj.