Nga Ylli Pata
Në kulmin e rivalitetit ndërmjet Fatos Nanos dhe Ilir Metës, këtu e më shumë se 20 vjet më parë, skuadra e PR-it të kreu të PS-së, kishte zgjedhur një mënyrë perfide për të nxjerrë në pah përplasjen mes dy liderëve. Në sherrin e të cilëve, siç ndodh shpesh, fitoi një i tretë.
Zbritjen apo hipjen e Fatos Nanos në foltore e shoqëronin me “Let’s Get Loud” të Jennifer Lopez, e kthyer në hit botëror pas hapjes së Kampionatit Botëror të Femrave, në mitikun Rose Bowl t ë Pasadena-s-Los Angelos në 1999.
Kurse Ilir Meta, shoqërohej me një tjetër hit, kënduar nga një mit të muzikës botërore të viteve 80: Modern Talking: “No Face, no name, no number”.
Nuk kaloi shumë kohë, e thuajse i gjithë stafi i Nanos, kaloi i gjithë për zotërinë që i kishin ofruar simbolikën e askushit.
Ky mish-mash simbolikash që lëviz me lehtësi të caktuar në narrativën politike shqiptare, në fakt është thelbi i asaj që është oferta e ardhur te publiku ndër vite. Ku për shembull, Sali Berisha, na erdhi në 2005-n, pak vite pas gjëmave të 1997 e 1998-s, me botoksin artistik të Fadil Berishës nga Nju Jorku, e slloganin e një filmi rumun shumë popullor në Shqipërinë komuniste që tregonte sagën e komisarit Roman që luftoi mafien reaksionare të Bukureshtit, menjëherë pas çlirimit të vendit nga Ushtria e Kuqe e Stalinit.
“Cu mâinile curate-Me duar të pastra”-ishte sllogani që këshilltarëve amerikano boshnjakë të fushatës së Berishës, duket ja kishte sugjeruar ndonjë nostalgjik i sagës popullore të komisarit Roman, të cilën ndaloi dhe komunizmi, ngaqë po shikoheshin si një lloj dissidence.
Vizatimi i doktorit të 1997-s me “Duart e pastra” ishte një guxim i madh në një Shqipëri, që mendohej se nuk i kishte harruar plagët e qametit. Ama qëlloi. Doktori u rikthye, me vështirës, me një operacion të fortë kthimit të xhaketave nga e mprapshta, e me mjaft make up vendas e ndërkombëtar, por u kthye. Më i fortë sesa në 1992. Këtë herë ishte “nishi” në të gjtiha drejtimet: Nuk kishte një kryeministër që e kundërshtonte, kundërshtarë e mocionistë apo një drejtësi kundër. i kishte të gjitha me vete, madje edhe presidentin e caktonte si të donte.
Se sa të pastra mbetën duart, është muhabet tjetër, e ku në këtë temë nuk ka ndonjëherë një diskutim racional e normal, por ku palët sipas llogoreve marrin përsipër të ngjyrosin sipas dëshirës e natyrisht interesit.
Megjithatë që nga “Cu mâinile curate” të doktorit të 2005-s, shumë sllogane kanë rrjedhur e arti i mendjes së kokave që së bashku me mjekrat mbushin këtë hapësirë që në epokën e Salës.
Në fakt Dita e Marmotës Phil, nuk ka qëndruar në vend vetëm me personazhin kryesor “Komisarin Roman” të “Duarve të Pastra”, por me të gjithë auditorin e qytetit provincial të Pennsylvania-s, i cili jo vetëm ushqehet e varet prej tij, por ka një lloj varësie, ngaqë e di se nëse personazhi kryesor që vijon të endet në të njëjtën ditë, e gjen lumturinë, atëherë zhduken të gjithë.
Një ditë e re lind mbi dëborën e bardhë të Punxsutawney-t, ku nuk ka më dje, as “tre bandat e Lubonjës” e as emisionet e ekspertëve që parashikojnë çdo tre ditë apokalipse të mëdha.
Por, në realitet e gjitha është një fantazi. Pasi e nesërmja ishte thjesht një vegim, jemi ende në Punxsutawney-t, me vetëm me një ndryshim. Ku nga Marmota Phil, ka gati 80 ditë që festohet Dita e Flamingos.
Që jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, ku ka marrë shumë famë quhet “Revolucioni i Flamingove”. I cili ashtu si 2 shkurti i marmotës Phil pritet me shumë interes, aq sa të gjithë mediat e East Coast të SHBA dhe Kanadasë ja mësyjnë për të qenë në festën e madhe të popullit të Phil-it.


