Vala e të nxehtit godet prodhuesit e Parmigiano Reggiano, bie prodhimi i qumështit

17 Aug 2026 09:15
Shpërndaje:

Industria italiane e Parmigiano Reggiano, me një vlerë rreth 4 miliardë euro, po përballet me një nga verat më të vështira të viteve të fundit, pasi temperaturat ekstreme dhe thatësira po ulin prodhimin e qumështit dhe po rrisin ndjeshëm kostot për fermerët.

Italia po kalon valën e katërt të madhe të të nxehtit këtë verë, me temperaturat në veri të vendit që i afrohen 40 gradë Celsius. Në stallat ku prodhohet qumështi për djathin më të famshëm italian, ventilatorët dhe sistemet automatike të spërkatjes me ujë kanë funksionuar pothuajse pa ndërprerje për më shumë se dy muaj, në përpjekje për të mbrojtur bagëtitë nga stresi termik.

Sipas Giovanni Buonaiuto, veteriner i Konsorciumit Parmigiano Reggiano, lopët fillojnë të vuajnë nga nxehtësia që në temperatura rreth 25 gradë Celsius, në varësi të lagështisë së ajrit.

Reklamë Ola

“Ato kanë një sistem tretës që gjeneron shumë nxehtësi dhe pak gjëndra djerse për ta shpërndarë atë. Është sikur lopa të ketë një radiator brenda trupit,” shpjegoi ai.

Kur temperaturat rriten, bagëtitë konsumojnë më pak ushqim, qëndrojnë më gjatë në këmbë për t’u ekspozuar ndaj ajrit që qarkullon nga ventilatorët, pushojnë dhe ripërtypin më pak, ndërsa prodhimi i qumështit bie ndjeshëm. Temperaturat e larta ndikojnë gjithashtu edhe në fertilitetin e tyre.

Reklamë InterMedika

Sipas Buonaiuto, prodhimi mesatar i qumështit ka rënë rreth 10% gjatë kësaj vere, megjithëse ndikimi ndryshon nga një fermë në tjetrën, në varësi të sistemeve të ftohjes që disponojnë.

Në disa ferma situata është edhe më e rëndë. Federica Dall’Aglio, e cila mbarështon rreth 400 krerë bagëti pranë qytetit të Parmës, tha se çdo lopë po prodhon 5 deri në 6 kilogramë qumësht më pak në ditë, një rënie prej rreth 20%.

Edhe pse në stallat e saj janë instaluar ventilatorë dhe sisteme spërkatjeje me ujë, lopët tashmë kalojnë pjesën më të madhe të ditës poshtë tyre dhe hezitojnë të largohen nga zonat e freskëta.

Valët e të nxehtit kanë ndryshuar edhe mënyrën e punës së fermerëve. Shumë prej tyre janë detyruar të nisin prerjen dhe grumbullimin e sanës në orën 3 ose 4 të mëngjesit, pasi pas orës 8 ose 9 temperaturat bëhen aq të larta sa bari thahet shpejt dhe humbet cilësinë.

Përballimi i vapës ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të kostove. Luca Cotti, fermer i gjeneratës së gjashtë dhe president i shoqatës Coldiretti në rajonin Emilia-Romagna, tha se konsumi i energjisë elektrike në stallat e bagëtive mund të dyfishohet ose edhe trefishohet gjatë periudhave me temperatura ekstreme, pasi sistemet e ftohjes funksionojnë pothuajse gjatë gjithë ditës.

Ai kujton se dy dekada më parë shqetësimi kryesor ishte dimri dhe ngricat, ndërsa sot investimet kryesore bëhen për të mbijetuar gjatë verës.

“Në të kaluarën valët e të nxehtit zgjatnin një javë. Tani janë bërë normale. Këtë vit, që nga qershori, nuk kanë pushuar,” tha ai.

Për shumë ferma të vogla, të pajisura me struktura më të vjetra, investimet e reja po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar. Familja Dall’Aglio ka investuar prej rreth 15 vitesh në sisteme ftohjeje dhe së fundmi ka instaluar edhe panele diellore për të kompensuar rritjen e konsumit të energjisë.

Sipas presidentit të Konsorciumit Parmigiano Reggiano, Nicola Bertinelli, rreth gjysma e fermave që furnizojnë me qumësht prodhimin e djathit kanë investuar tashmë në sisteme moderne ftohjeje, si ventilatorë, spërkatës automatikë me sensorë lëvizjeje dhe sisteme monitorimi të temperaturës. Këto ferma prodhojnë rreth 70% të qumështit të përdorur për Parmigiano Reggiano.

Pjesa tjetër e prodhimit vjen kryesisht nga fermat në zonat kodrinore dhe malore, ku temperaturat janë disi më të ulëta.

Një tjetër sfidë serioze mbetet mungesa e ujit. Thatësira dhe nivelet shumë të ulëta të ujit në liqenet alpine kanë detyruar autoritetet në pellgun e lumit Po të shpallin nivel të lartë alarmi për thatësirën.

Edhe kultura e jonxhës, e cila është një nga burimet kryesore të ushqimit për bagëtitë dhe konsiderohet relativisht rezistente ndaj thatësirës, ka kërkuar ujitje intensive këtë vit.

Kur niveli i lumenjve bie shumë, fermerët detyrohen të pompojnë ujë nëntokësor, një proces që sipas ekspertëve kushton rreth pesë herë më shumë për shkak të energjisë së nevojshme për nxjerrjen e tij.

Shoqatat e fermerëve kërkojnë tashmë investime të mëdha publike në rezervuarë dhe infrastrukturë për ruajtjen e ujit, duke argumentuar se problemet e mungesës së ujit nuk mund të zgjidhen vetëm nga fermerët individualë.

Megjithatë, ndryshe nga sektorë të tjerë të bujqësisë, prodhuesit e Parmigiano Reggiano shprehen se nuk ekziston rreziku për mungesë të djathit në treg.

Kjo edhe sepse kërkesa ndërkombëtare dhe çmimet e larta u japin atyre mundësinë të vazhdojnë investimet për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike.

Megjithatë, fermerët paralajmërojnë se nëse temperaturat ekstreme dhe thatësirat bëhen norma e re, fermat më të vogla me infrastrukturë të vjetër mund të mos arrijnë të përballojnë kostot dhe të detyrohen të mbyllin aktivitetin në vitet e ardhshme. Për momentin, shpresa e tyre mbetet vetëm që vala e të nxehtit të marrë fund sa më shpejt.