Ministria e Mbrojtjes apel qytetarëve: Mos u bëni shkak për zjarre

15 Aug 2026 23:31
Shpërndaje:

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra të reja zjarri, në një periudhë kur temperaturat e larta dhe bimësia e thatë shtojnë rrezikun e përhapjes së flakëve.

Përmes një postimi në Facebook mbrëmjen e kësaj të shtune, Ministria kërkoi që qytetarët të mos ndezin zjarre në pyje, fusha apo pranë zonave me bimësi të thatë dhe të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë.

Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të shmangin përdorimin e fishekzjarreve pranë zonave me bimësi, pasi edhe një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë pasoja të rënda.

Reklamë Ola

“Një pakujdesi mund të rrezikojë jetë, banesa dhe natyrën”, paralajmëron Ministria e Mbrojtjes.

Institucioni u ka bërë apel qytetarëve që, nëse konstatojnë një vatër zjarri, të njoftojnë menjëherë autoritetet për të mundësuar ndërhyrjen sa më të shpejtë të strukturave të emergjencës.

Reklamë InterMedika

“MOS U BËJ SHKAK PËR NJË ZJARR! Mos ndiz zjarre në pyje, fusha apo pranë bimësisë së thatë. Mos hidh cigare të ndezura. Mos përdor fishekzjarre pranë zonave me bimësi. Një pakujdesi mund të rrezikojë jetë, banesa dhe natyrën”, thuhet në njoftim.

Në rast të konstatimit të një zjarri, qytetarët mund të kontaktojnë numrat e emergjencës 112, 128 ose 129.