Rama për projektin në Zvërnec: Do të vazhdojmë përpara, është një bekim për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama është zotuar se projekti në Zvërnec do të vijojë, duke e cilësuar atë si një mundësi të jashtëzakonshme investimi për Shqipërinë.
Në një intervistë për Al Jazeera, Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria po shet tokë publike, duke theksuar se bëhet fjalë për një pronë private dhe për një marrëveshje mes palëve private.
“Ekziston pyetja nëse ky projekt do të realizohet apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi se shteti shqiptar nuk është palë në marrëveshje dhe se nuk bëhet fjalë për transferim apo shitje të pronës publike.
“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe debat në mbarë botën, bëhet fjalë për një pronë private. Nuk bëhet fjalë për toka publike që qeveria shqiptare po i jep apo po e shet vendin. Është një pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje”, u shpreh Rama.







