Ministria e Mbrojtjes kundërpërgjigjet PD-së: Tenderi për avionët zjarrfikës është zhvilluar sipas ligjit

06 Aug 2026 15:56
Shpërndaje:

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për procedurën e prokurimit të tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke deklaruar se tenderi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe parimet e transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Reagimi vjen pasi Partia Demokratike pretendoi se kompania fituese, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë dhe kërkoi anulimin e procedurës së prokurimit.

Ministria hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Sipas saj, në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë, ku kompania fituese paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore, si dhe kërkesat për kapacitet ekonomik dhe teknik.

Reklamë Ola

Në deklaratë thuhet se nuk qëndron pretendimi se kompania AVIATION TRADE EUROPE S.L. ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operatori ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe gëzon të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit publik.

Ministria sqaroi se çështja gjyqësore e përmendur në media lidhet me një proces ende të hapur në Spanjë, për të cilin nuk ka një vendim të formës së prerë. Për këtë arsye, sipas saj, nuk ekziston asnjë bazë ligjore për përjashtimin e kompanisë nga procedurat e prokurimit.

Reklamë InterMedika

Po ashtu, theksohet se kompania ka vijuar të lidhë kontrata me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Në përfundim, Ministria e Mbrojtjes e cilësoi sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve si një investim strategjik për forcimin e mbrojtjes civile dhe sigurisë së qytetarëve, duke ritheksuar se çdo procedurë është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut.