Rama: Opozita po bën çmos për të bllokuar rrugën e integrimit të Shqipërisë
Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot gjatë Asamblesë së PS në Berat se nuk ekziston asnjë bllokim për rrugën europiane të Shqipërisë, duke akuzuar opozitën për dezinformim dhe përpjekje për destabilizim të opinionit publik.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e komunikimit të brendshëm në parti përballë asaj që e cilësoi si “bombardim i llumit” në hapësirën publike.
“Nga njëra anë si gjithmonë ne nisim kohë më parë fushatën për të përgatitur fitoren e ardhshme dhe kur të tjerët merren me ne dhe më keq akoma fatkeqësisht merren me Shqipërinë, në sensin më negativ duke shkuar rrugëve të botës, të Europës për të bërë çmos që ta pengojnë, ta ndalojnë, ta bllokojnë Shqipërinë, ne merremi me veten, për të kuptuar se ku jemi me punët e Shqipërisë sepse në fund të ditës të tjerët kanë punë që lidhen me interesat e tyre apo me mbijetesën e tyre në arenën e politikës, ndërsa puna jonë janë punët e Shqipërisë”, tha ai.
“Gjylet e baltës janë të përminutshme. Përpjekja për ta destabilizuar fillimisht nga pikëpamja e opinionit shqiptarin është e jashtëzakonshme, siç është edhe përpjekja për ta destabilizuar vetë Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Kryeministri iu referua edhe deklaratave të fundit nga ambasadori i Bashkimi Europian në Tiranë, Silvio Gonzato duke theksuar se nuk ka bllokim për procesin e integrimit.
“E dëgjuat besoj ambasadorin e Bashkimit Europian kur tha jo më larg se dje, që nuk ka asnjë bllokim të Shqipërisë. Ndërkohë sa muaj ju kanë rrokanisur kokën ‘u bllokua, u ndalua, u pengua çështja filan’,” tha Rama.
Ai kritikoi deklaratat që, sipas tij, synojnë të krijojnë panik dhe mosbesim tek qytetarët lidhur me perspektivën europiane të vendit.
“Kur unë thosha ne duam një mandat të fortë sepse duam ta anëtarësojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian në 2030-ën, ju thoshin kjo është thjesht një lojë e re e Edi Ramës”, u shpreh kreu i qeverisë, teksa shtoi se, “po ata mbushën tenxheret me lajmin e kobshëm ‘e humbëm Europën”.
Rama shtoi se problematik mbetet edhe ndikimi i këtyre deklaratave në arenën ndërkombëtare.
“Problemi më i madh janë ata që dëgjojnë në gjuhë të huaj gjithë ato mynxyra që nxjerr goja e këtyre për Shqipërinë”, u shpreh Rama, duke sjellë në vëmendje se vende të tjera të rajonit nuk kanë vepruar në mënyrë të ngjashme ndaj vetes në periudha krizash.
Kryeministri theksoi se objektivi i qeverisë mbetet i pandryshuar: avancimi drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian dhe rritja ekonomike e vendit.
“Ajo që ne na ka rënë më shumë për pjesë është barra që ne të shkojmë përpara me vendosmëri dhe të anëtarësojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Dhe njëkohësisht të vazhdojmë të rrisim ekonominë”, tha Rama.







