Fluksi masiv i emigrantëve në enklavat spanjolle të Ceutës dhe Melillas ka rikthyer në qendër të debatit statusin e këtyre dy territoreve në Afrikën e Veriut, ndërsa qeveria e Spanjës po përballet me presion në rritje pas pretendimeve të përsëritura të Marokut mbi sovranitetin e tyre.
Hyrja e rreth 72 mijë emigrantëve në Ceuta javën e kaluar ka rritur shqetësimet në Madrid për cenueshmërinë e kufijve dhe mundësinë që emigracioni të përdoret si një mjet presioni politik apo sulmi hibrid. Situata është bërë edhe më delikate për shkak të tensioneve diplomatike që qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez ka me administratën amerikane të presidentit Donald Trump dhe me Izraelin.
Ndërsa marrëdhëniet mes Rabatit dhe Uashingtonit janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, Maroku ka intensifikuar retorikën mbi Ceutën dhe Melillën, të cilat i konsideron territore të pushtuara. Sipas mediave pranë qeverisë marokene, ngjarjet e fundit tregojnë se çështja nuk është më nëse këto qytete do t’i bashkohen Marokut, por kur do të ndodhë kjo.
Shqetësimet në Madrid janë shtuar edhe nga fakti se pretendime të ngjashme nuk po vijnë më vetëm nga Maroku. Një raport i Kongresit amerikan dhe deklarata të disa politikanëve amerikanë kanë ngritur pikëpyetje mbi statusin e dy enklavave spanjolle.
Kongresmeni republikan Mario Díaz-Balart, anëtar i Komisionit të Fuqishëm të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, deklaroi në muajin prill se “Ceuta dhe Melilla ndodhen në territorin maroken”, duke shtuar se duhet diskutuar nëse ato duhet të mbeten pjesë e Spanjës apo t’i kalojnë Marokut.
Më pas, gjatë përgatitjes së projektbuxhetit amerikan për ndihmën ushtarake ndaj Marokut, Díaz-Balart paraqiti një raport ku thuhej se Ceuta dhe Melilla janë qytete të administruara nga Spanja, por ndodhen në territorin maroken dhe mbeten objekt i pretendimeve të vazhdueshme të Rabatit. Dokumenti mbështeste gjithashtu angazhimin diplomatik për të diskutuar statusin e ardhshëm të tyre.
Megjithatë, kongresmeni mohoi se raporti përfaqësonte një ndryshim të politikës amerikane, duke theksuar se synimi ishte vetëm inkurajimi i dialogut mes palëve.
Edhe ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, reagoi pas krizës së emigrantëve, duke kritikuar Spanjën për qëndrimin ndaj luftës në Gaza dhe duke pyetur publikisht pse Madridi vazhdon të mbajë “enklava koloniale në Afrikë”. Më vonë, ambasada izraelite në Madrid sqaroi se deklarata nuk përfaqësonte qëndrimin zyrtar të qeverisë izraelite.
Përballë këtyre zhvillimeve, qeveria spanjolle ka dalë publikisht në mbrojtje të sovranitetit të saj. Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, deklaroi se “Ceuta dhe Melilla nuk preken” dhe se integriteti territorial i Spanjës nuk është objekt diskutimi.
“Ceuta dhe Melilla nuk preken. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se integriteti territorial dhe sovraniteti i Spanjës nuk janë të negociueshme”, deklaroi Robles.
Megjithatë, deklaratat zyrtare nuk kanë mjaftuar për të qetësuar shqetësimet në opinionin publik spanjoll. Mediat në vend kanë rikthyer krahasimet me “Marshimin e Gjelbër” të vitit 1975, kur Maroku mobilizoi qindra mijëra civilë për të marrë kontrollin e Saharasë Perëndimore, duke detyruar Spanjën të tërhiqej nga territori.
Ish-ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel García-Margallo, paralajmëroi se Madridi duhet të tregojë qartë se sovraniteti mbi Ceutën dhe Melillën nuk është i negociueshëm.
“A mendoni se britanikët do të lejonin 60 mijë spanjollë të hynin në Gjibraltar? Duhet të jemi miq me Marokun, por edhe miqtë duhet ta dinë se ka vija të kuqe që nuk mund të kalohen”, tha ai.
Historiani José Luis Rodríguez Jiménez vlerëson se Maroku ka përfituar nga dobësia politike e qeverisë së Pedro Sánchez, e cila përballet me mungesë shumice parlamentare dhe me skandale korrupsioni.
Sipas tij, ajo që ndodhi në Ceuta ishte një provë e përgjithshme për një presion edhe më të madh në të ardhmen.
“Ajo që ndodhi javën e kaluar ishte një provë për një pushtim të mundshëm. Rabati ka parë se Madridi nuk ishte në gjendje ta zmbrapste një situatë të tillë”, deklaroi ai.
Ai kujtoi gjithashtu krizën e vitit 2021, kur rreth 8 mijë emigrantë hynë në Ceuta pasi forcat marokene hoqën kontrollet kufitare, si dhe incidentin e vitit 2002 në ishullin Perejil, kur marinsat marokenë zbarkuan në ishull dhe u larguan vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale spanjolle.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm spanjoll Fernando Grande-Marlaska këmbënguli se reagimi ndaj krizës tregoi forcën e Spanjës dhe jo dobësinë e saj.
“Spanja ka dalë nga kjo krizë si një partner i fortë dhe i besueshëm”, deklaroi ai.
Debati ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur Ceutën dhe Melillën në rast të një krize të ardhshme. Në vitin 2022, ish-sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, kishte deklaruar se edhe këto dy qytete mbuloheshin nga garancitë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Megjithatë, pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe tensioneve të tij me qeverinë spanjolle, zyrtarët e Aleancës shmangin të japin garanci konkrete. Një zyrtar i NATO-s u mjaftua të deklarojë se Aleanca është “e gatshme të mbrojë të gjithë aleatët”, pa komentuar skenarë hipotetikë.
Nga ana e saj, Ministria e Jashtme spanjolle ritheksoi se sovraniteti mbi Ceutën dhe Melillën nuk vihet në diskutim.
“Spanjollësia e Ceutës dhe Melillës është përtej çdo dyshimi dhe njihet nga e drejta ndërkombëtare dhe nga e gjithë bota”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë.


