Vizita e delegacionit taliban në Moldavi shkakton krizë politike, Qeveria nis hetim për lëshimin e vizave

05 Aug 2026 23:32
Shpërndaje:

Vizita e një delegacioni të Qeverisë talibane të Afganistanit në Moldavi ka shkaktuar një stuhi politike në vendin e Evropës Lindore, duke detyruar autoritetet të nisin një hetim mbi mënyrën se si u miratuan vizat për zyrtarët afganë.

Tre përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë së talibanëve mbërritën në Kishinjev më 3 gusht për një vizitë disaditore. Menjëherë pas mbërritjes, autoritetet talibane e paraqitën udhëtimin si një vizitë zyrtare shtetërore, duke e përdorur atë për të promovuar përpjekjet e tyre për të fituar legjitimitet ndërkombëtar.

Ministria e Bujqësisë e talibanëve publikoi fotografi nga mbërritja e delegacionit në aeroportin e Kishinjevit, ndërsa mediat shtetërore afgane raportuan se vizita synonte zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, kërkimit shkencor, mbrojtjes së bimëve, teknologjive moderne bujqësore dhe projekteve të përbashkëta.

Reklamë Ola

Në qendër të polemikave është Vasile Sarban, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë së Moldavisë, i cili ftoi delegacionin me kërkesë të kompanive private moldave të interesuara për eksportet drejt Afganistanit.

Sarban mbrojti vendimin, duke deklaruar se shteti duhet të ndihmojë bizneset vendase të gjejnë tregje të reja për produktet e tyre.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, reagimi publik dhe politik ishte i menjëhershëm. Ministria e Jashtme e Moldavisë sqaroi se vendi nuk e njeh Qeverinë talibane dhe theksoi se nuk do të zhvillohen takime apo kontakte zyrtare me delegacionin afgan.

Autoritetet moldave njoftuan gjithashtu nisjen e një hetimi për procedurën e pajisjes së zyrtarëve talibanë me viza.

Kryeministri Vasile Tofan e cilësoi rastin “të turpshëm dhe të papranueshëm”, duke e konsideruar një dështim administrativ.

“Procedura u ndoq formalisht, por pa vlerësimin e nevojshëm politik dhe diplomatik. Një çështje kaq e ndjeshme u trajtua si një procedurë rutinë administrative dhe rezultati ishte një vendim i gabuar”, deklaroi ai.

Qeveria talibane vazhdon të mos njihet nga shumica e vendeve të botës. Deri tani, Rusia është i vetmi shtet që e ka njohur zyrtarisht si qeverinë legjitime të Afganistanit, ndërsa vende si Kina, Kazakistani dhe Uzbekistani mbajnë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me talibanët pa njohje formale.

Ekspertët vlerësojnë se talibanët po intensifikojnë përpjekjet për të fituar legjitimitet ndërkombëtar përmes kontakteve me vende të ndryshme. Në qershor, përfaqësues të tyre zhvilluan për herë të parë bisedime në Bruksel për çështjen e riatdhesimit të emigrantëve afganë, një hap që u kritikua nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmëruan se kontakte të tilla mund të legjitimojnë një regjim të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave dhe lirive themelore, veçanërisht ndaj grave.