×
Friday, June 12, 2026

Rama: Nuk ka leje ndërtimi për projektin në Zvërnec, po ngatërrohet opinioni publik

June 12, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin “Shqipëria Live” se për projektin në Zvërnec nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi, duke akuzuar kritikët se po krijojnë konfuzion në opinionin publik me interpretime të gabuara të dokumenteve zyrtare.

Sipas Ramës, dokumentet që po qarkullojnë publikisht nuk përbëjnë leje ndërtimi dhe nuk mund të konsiderohen si të tilla.

“Po ngatërrojmë dynjanë me këto letra që hidhen e priten. Nuk është dhënë dhe nuk ka leje ndërtimi për zhvillimin në Zvërnec. Po të kishte pasur leje ndërtimi që në janar të vitit 2025, atëherë ndërtimi do të kishte nisur tashmë, pasi jemi në vitin 2026”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se dokumenti i përmendur nga kundërshtarët e projektit është vetëm një pjesë e një procedure më të gjerë administrative dhe jo autorizimi për nisjen e punimeve.

“Leja e ndërtimit është një formular krejt tjetër, me një sërë firmash, përfshirë edhe timen. Ajo që po paraqitet nuk është leje ndërtimi, por një paragraf në një dokument që përfshin disa procedura dhe leje të ndryshme”, tha Rama.

Gjatë intervistës, gazetarja Sidorela Gjoni i kujtoi kryeministrit se dokumenti i publikuar mban firmën e tij, por Rama këmbënguli se kjo nuk e bën atë automatikisht një leje ndërtimi.

“Për të 139-ën herë në këto ditë, nuk ka një leje ndërtimi. Është e habitshme se si po zhvillohet kjo ngjarje”, deklaroi ai.

Debati mbi projektin në Zvërnec vijon prej javësh, ndërsa qeveria dhe kundërshtarët e investimit mbajnë qëndrime të kundërta lidhur me procedurat dhe ndikimin e tij në zonën e mbrojtur të Nartës.




Comments are closed.