×
Wednesday, June 10, 2026

Rama nga Fieri për protestën në Tiranë: “Kur del për flamingot, nuk mund të kërkosh largimin e qeverisë”

June 9, 2026


Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Fier, komentoi protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke deklaruar se kërkesa për transparencë është legjitime, por jo thirrjet për largimin e qeverisë.

Në fjalën e tij, Rama tha se protestuesit duhet të pranojnë dialogun dhe diskutimin me ekspertët, në vend që të refuzojnë çdo formë komunikimi.

“Të mblidhesh sot dhe të kërkosh hesap për një projekt është gjëja më legjitime, por kjo bëhet duke u ulur dhe duke kërkuar transparencën që kërkon. Dikush që del në protestë dhe kërkon që unë të jem i butë, ka një minimum etik, që të nxjerrësh një grup njerëzish dhe të thuash: hajde, ulu me këta ekspertë dhe trego çfarë do të bësh. Jo me atë teknikën se nuk ka negociata, largohu”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se protesta ka humbur fokusin fillestar dhe sipas tij nuk mund të kërkohet rrëzimi i qeverisë në emër të mbrojtjes së flamingove apo të një projekti që ende nuk ka marrë formën përfundimtare.

“Kur del në protestë për flamingot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria. T’i kërkosh hesap në këtë formë një qeverie që e ka bërë Shqipërinë vendin ku është vendosur në mbrojtje lumi i fundit i egër i Europës. Vjosa është Park Kombëtar dhe Narta e Vjosa nuk kanë lidhje me projektin. Të thuash këto është guximi i atij që nuk ka turp. Kur e bën për të manipuluar, është diçka që mund ta bësh, por me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste kjo nuk funksionon”, deklaroi ai.

Duke ironizuar protestuesit, Rama tha se sipas tij shumë prej tyre nuk e njohin as zonën për të cilën protestojnë.

“Këta nuk dinë as ku janë flamingot. Këta duan që Austria, Zvicra dhe të tjerë të bëjnë lekë me turizmin malor, ndërsa këtu jo. Nëse të huajt nuk duhet të vijnë, nëse oligarkët nuk duhet të vijnë, atëherë si do të vijnë të ardhurat këtu? Zvërneci është i Vlorës, por proteston Tirana”, tha ai.

Më tej, Rama ngriti pyetjen se përse protestat nuk po zhvillohen në Vlorë, duke shtuar se qytetarët e zonës e shohin ndryshe zhvillimin ekonomik.

“Përse nuk del Vlora? Kur them duhet të dilte Vlora, nuk e kam fjalën për ballistat e mbetur në Vlorë, sepse edhe një që kishin që lidh shtatë fjalë bashkë, e sollën në Parlament. Kryeqyteti i socialistëve është Fieri, ndërsa i pavarësisë është Vlora. Po do ta ngresh uraganin e Partisë Socialiste, shko në Fier. Po do të ngulësh këmbë se Shqipëria nuk shitet, shko në Vlorë”, u shpreh ai.

Kryeministri nuk kurseu ironitë as ndaj blogerëve dhe influencerëve që kanë mbështetur protestën në rrjetet sociale.

“Vlonjatët nuk i bien gjatë, sepse po ta bënin nuk do nxirrnin heronj e dëshmorë, por blogerë. Nuk njoh blogerë nga Vlora”, tha Rama.

Ai paralajmëroi gjithashtu se qeveria do të vazhdojë të mbështesë investime të mëdha strategjike në vend, duke lënë të kuptohet se projekte të tjera të rëndësishme janë në proces.

“Investime aq të mëdha do t’i sjellim Shqipërisë. Shumë shpejt do të shikoni një investim po aq të madh, mbase edhe më të madh, diku mes Kavajës dhe Durrësit dhe do të shikojmë çfarë do të thoni për të”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria nuk mund të refuzojë investimet dhe zhvillimin ekonomik, duke krahasuar vendin me shtete të tjera të rajonit.

“Përse shqiptarët duhet të shohin me zili Greqinë, Kroacinë apo Malin e Zi? Atje pagat janë më të larta, pensionet janë më të larta, standardi i jetesës është më i lartë. Ne do të dëgjojmë llapaqorrat që e duan Shqipërinë për vete. Kush janë këta që thonë se Shqipëria është e jona, dëgjo popullin dhe ik? Populli flet kur i vjen dita të flasë dhe e ka zgjedhur këtë sistem. Nuk thonë kot atë ditë heshtje zgjedhore. Shkon populli dhe voton”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se gjatë takimeve me gazetarë europianë ka vënë re se edhe ata janë të hutuar nga klima e krijuar në rrjetet sociale dhe mënyra se si amplifikohen ngjarjet.

“Sot flisja me disa gazetarë nga Europa. Edhe ata të hutuar. U çmend bota. Rrinë të gjithë me gishtin te ‘scroll’-i”, përfundoi Rama.




Comments are closed.