Kryeministri Edi Rama ndodhet në Itali, ku po merr pjesë në edicionin e 52-të të Forumit “Intelligence on the World, Europe and Italy”, që zhvillohet në Cernobbio dhe mbledh drejtues të lartë politikë, institucionalë dhe ekonomikë nga Europa dhe më gjerë.
Këtë të shtunë, Rama do të jetë pjesë e panelit “Agjenda për Europën”, në debatin me temë “Mesdheu i zgjeruar”, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Diskutimi do të moderohet nga ish-Kryeministri italian Paolo Gentiloni, i cili aktualisht mban postin e Presidentit të Këshillit Këshillimor të EIB Global.
Punimet e Forumit këtë të shtunë nisin në orën 08:30. Përpara panelit ku do të marrin pjesë Rama dhe Plenković është parashikuar edhe një ndërhyrje e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Në qendër të diskutimeve të Forumit të Cernobbios janë zhvillimet kryesore gjeopolitike dhe ekonomike, pozicioni i Europës në botë dhe sfidat globale me të cilat përballet kontinenti.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu sigurisë dhe mbrojtjes europiane, si dhe rolit të Mesdheut në arkitekturën e re europiane dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Ramës në panelin kushtuar “Mesdheut të zgjeruar” vjen në kuadër të diskutimeve mes liderëve europianë mbi sfidat dhe perspektivat e rajonit, si dhe mbi rolin e tij në zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në Europë.


