Pesë vende të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, po përgatiten për krijimin e qendrave të kthimit jashtë Europës, ku do të transferohen emigrantët që nuk kanë më të drejtë të qëndrojnë në territorin e tyre.
Gjermania, Danimarka, Austria, Holanda dhe Greqia arritën një marrëveshje mbi pikat kryesore të planit gjatë një takimi të zhvilluar të premten në Kopenhagen. Synimi është që marrëveshjet me vendet e treta që mund të presin këto qendra të përfundohen brenda këtij viti, në mënyrë që zbatimi të nisë vitin e ardhshëm.
Ruanda dhe Uganda janë përmendur së fundmi mes vendeve të marra në konsideratë, megjithëse ministrat nuk kanë bërë të ditur se me cilat shtete po zhvillohen aktualisht negociatat dhe as kushtet konkrete të marrëveshjeve të mundshme.
Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, deklaroi se pesë vendet synojnë të arrijnë marrëveshje me shtete të treta për ngritjen e të ashtuquajturave “qendra kthimi”.
“Ne duam të arrijmë një marrëveshje me vendet e treta këtë vit, e cila më pas do të mundësojë krijimin e qendrave të kthimit”, deklaroi Dobrindt.
Sipas tij, bisedimet teknike me vendet e mundshme pritëse kanë nisur dhe pritet të intensifikohen. Pesë shtetet planifikojnë të zhvillojnë një takim tjetër në fund të shtatorit, këtë herë në Mynih.
Objektivi i planit është reduktimi i emigracionit të parregullt dhe rritja e efektivitetit të kthimeve. Dobrindt argumentoi se qendrat jashtë Europës mund të ndihmojnë gjithashtu në goditjen e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Sipas modelit të diskutuar, në fazën e parë drejt këtyre qendrave mund të dërgohen azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, si dhe personat që kanë detyrimin të largohen nga vendet europiane, por që për arsye të ndryshme nuk mund të kthehen menjëherë në vendet e origjinës.
Aktualisht, shumë prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në Europë, për shembull për shkak të mungesës së dokumenteve ose refuzimit të vendeve të origjinës për t’i pranuar.
Në një fazë të mëvonshme, sipas planit, edhe vetë procedurat e azilit mund të përpunohen në qendra të ngritura në vende të treta.
Dobrindt tha se Pakti i ri i BE-së për Azilin dhe Migracionin krijon bazën ligjore për zhvillimin e modeleve të tilla.
Në takimin e Kopenhagenit mori pjesë edhe Komisioneri Europian për Migracionin, Magnus Brunner. Megjithatë, pavarësisht mbështetjes për diskutimin e zgjidhjeve të reja për kthimet, Bashkimi Europian në tërësi nuk ka arritur një marrëveshje për zbatimin e këtij modeli.
Ngritja e qendrave të deportimit jashtë Europës konsiderohet një çështje juridikisht komplekse, ndërsa organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar kundërshtime ndaj një skeme të tillë.


