Rama në Estoni për Konferencën Lennart Meri 2026, fokus te siguria dhe bashkëpunimi transatlantik

15 May 2026 11:15
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Tallinn, Estoni, për një vizitë pune në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Lennart Meri 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale.

Rama do të jetë pjesë e panelit hapës “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”, ku së bashku me liderë dhe përfaqësues të lartë euroatlantikë do të diskutojë mbi të ardhmen e partneritetit transatlantik, forcimin e rolit të NATO-s dhe sfidat aktuale të sigurisë globale, përfshirë situatën në Ukrainë.

Gjatë vizitës, Kryeministri shqiptar do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun e tij estonez, Kristen Michal, në Shtëpinë Stenbock, si dhe do të pritet nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis.

Reklamë Ola

Në agjendë përfshihet edhe vizita në Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s, ku delegacioni shqiptar do të njihet me rolin e saj në forcimin e sigurisë kibernetike, si dhe ndalesa në qendra të rëndësishme si e-Estonia Briefing Centre dhe Memoriali i Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe.

Po ashtu, Rama pritet të japë një intervistë për median estoneze, ku do të flasë për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Reklamë InterMedika